Qytetarë serbë nisin protestën në Rudarë

22 dhjetor 2022 | 12:49

Grupe të qytetarëve serbë kanë nisur protestën në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, kundër, siç kanë thënë, “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë vend, i cili në mesin e komunitetin lokal serb njihet edhe si “Te kryqi”, ndodhet një prej barrikadave të ngritura në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor.

“Radio Evropa e Lirë” ka merr vesh se në protestë janë mbledhur edhe pjesëtarë të komunitetit serb nga zona të tjera të Kosovës.

Bëhet fjalë kryesisht për persona të punësuar në institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë.

Në mesin e të pranishmëve ka edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, kryesisht në ato të vetëqeverisjes lokale.

Disa nga qytetarët e mbledhur në Rudarë, me të cilët ka biseduar “REL”-i, kanë thënë se kanë ardhur për të luftuar për të drejtat e tyre, por ka edhe nga ta që deklarojnë se janë detyruar të vijnë. Tubimet e tilla janë “obligim pune” për punonjësit në institucionet serbe në Kosovë.

Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe  – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në thirrjen për protestë u tha se ata duan të dërgojnë mesazh se nuk janë dakord me “persekutime dhe vrasje”.

Paraprakisht, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë përmes një video-mesazhi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, planifikon të “vrasë serbë” në barrikada.

Ajo që Kurti i ka thënë, në fakt, gazetës britanike “The Guardian” është se ai “shpreh shqetësim se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima potenciale”.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, i ftoi qytetarët që “të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar” gjatë protestës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se u ofron “mbështetje të plotë” serbëve në Kosovë.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme, të mbledhurit në protestë pritet t’i kundërshtojnë edhe “ultimatumet dhe afatet” për heqjen e barrikadave.

Nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për heqjen e barrikadave, ata kërkojnë lirimin e Pantiqit.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.

Ndërkohë, Vuçiq ka thënë se barrikadat do të hiqen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e Kosovës janë kundër formimit të këtij asociacioni, me arsyetimin se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik dhe se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar afati kalimtar në basketboll për lojtarët vendorë nga…