Seksioni i Shkencave Shoqërore i AShAK-ut del kundër Krajës, paralajmërohen veprime statutore kundër tij

23 dhjetor 2022 | 15:51

Seksioni i Shkencave Shoqërore në kuadër të Akademisë së Shkencave të Republikës së Kosovës (AShAK) janë distancuar nga dokumenti “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Përmes një kumtese për media kanë thënë se distancohen nga një dokument i tillë që është publikuar në faqen e ASHAK-ut derisa thonë se ai tekst është i kryetarit të AShAK-ut, Mehmet Kraja dhe se s’ka qenë i autorizuar për publikim.

Nga Seksioni i Shkencave Shoqërore kanë thënë se nga fillimi e kanë kundërshtuar publikimin e një tekstit të tillë të cilin e quajnë “joshkencor” në emër të AShAK-ut.

Siç është thënë në kumtesë, një veprim i tillë sjell përçarje të rënda edhe për vetë Akademinë.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen kryetarit te AShAK­ ut, z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, te hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjellë përçarje me pasoja të renda për vet Akademinë”, është thënë në kumtesën e dërguar nga email-i zyrtar i AShAK-ut, ndërkohë kumtesa mban në fund firmën e Gjyljeta Mushkolajt, si anëtare e Seksionit të Shkencave Shoqërore.

Nga Seksioni i Shkencave Shoqërore kanë kërkuar nga Mehmet Kraja relfketim institucional për “dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë”.

Ndërkohë kanë paralajmëruar edhe inicimin e veprimeve statutore nëse Kraja s’reflekton karshi përgjegjësisë institucionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shqiptar i Kosovës që është nisur nga Gjermania për…