Erzen Zyberaj vrapoi 150 kilometra brenda një dite

26 dhjetor 2022 | 14:33

Atletika është një ndër sportet më atraktive.

Në botë është mjaft i zhvilluar si sport, por njëjtë nuk mund të themi edhe për Kosovën.

Në vendin tonë ka atletë, por atyre nuk ju ofrohen kushte të favorshme për të praktikuar këtë sport.

Megjithatë, ka disa prej tyre që e duan shumë sportin e atletikës dhe e praktikojnë në disa raste edhe vetëm.

Kështu së fundmi ka bërë edhe atleti Erzen Zyberaj, përfaqësuesi i Kosovës në vrapimet e gjata dhe kampioni në vrapimet malore dhe maratona.

Ai dje ka bërë një vrapim prej gati 12 orësh në rreth 150.06 kilometra.

Zyberaj ka filluar vrapimin e tij nga kryeqyteti, Prishtina  – Fushë Kosovë – Drenas – Malishevë – Klinë – Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Rahovec.

Për të bërë një vrapim të tillë patjetër që duhen kushte, që sipas Zyberaj Kosova nuk i ka.

“Kushte s`ka por ka vullnet, pasioni dhe mbi të gjitha dashuria për punën”, ka thënë fillimisht ai për “lajmi.net”.

Më tutje, ai ka treguar motivin e vrapimit të gjatë të cilin e ka realizuar së fundmi.

“Ky vrapim është pjesë e përgatitjeve të mia për garat e ardhshme që do t`i kem në këto disiplina pra në ‘UltraMaratona’. Vrapuesi tregoi edhe synimet e tij për këtë sport, që është të bëhet kampion bote në Ultra Maratona. “Dëshira ime është që në të ardhmen të bëhem kampion botë në Ultra Maratona”, ka thënë  Erzen Zyberaj.

Ai gjithashtu ka inkurajuar të rinjtë që të merren më këtë sport.

“Motivimi i gjeneratave të reja që të merren më shumë me vrap pasi që kemi shumë talent dhe një ditë të bëhem shembull për ata”, ka thënë ai.

Erzeni me vrapime të gjata merret qe dy vite dhe ka përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror “Berlin100km” të këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën…