Dhjetëra të vdekur në SHBA dhe Kanada nga të ftohtët

26 dhjetor 2022 | 16:52

Të paktën 51 persona kanë mbetur të vdekur shkaku i temperaturave të ulëta në Amerikën e Veriut. Zyrtarët thonë se 47 persona kanë vdekur në nëntë qytete të SHBA-së, ndërsa zona më e prekur është qyteti i Bufalos, në Nju Jork.

Ndërkohë, katër vdekje janë shënuar në Kanada, ku një autobus rrëshqiti mbi rrugën e ngrirë afër qytezës Merit, në provincën perëndimore të Kolumbisë Britanike.

Një stuhi e tillë kaq e madhe nuk është regjistruar asnjëherë më parë. Ajo shtrihet nga Kanadaja deri në pjesën jugore të Rio Grandes.

Meteorologët thonë se stuhia do të dobësohet gjatë ditëve të ardhshme, mirëpo qytetarët këshillohen t’i shmangin udhëtimet përveç në raste emergjente.

Stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha, por energjia elektrike është restauruar në pjesën më të madhe të SHBA-së. Më pak se 200 mijë njerëz mbetën pa rrymë gjatë pasdites të së dielës, në krahasim me 1.7 milion që ishin në terr më parë, raporton AP.

Mbi 15 mijë fluturime janë anuluar gjatë ditëve të fundit, duke ua pamundësuar kështu shumë njerëzve kthimin në shtëpi në kohë për festën e Krishtlindjes.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e festave të fundvitit, Njësia për Çështjet Civile…