Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Liria e lëvizjes duhet të rivendoset

26 dhjetor 2022 | 17:20

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar më 26 dhjetor për situatën e krijuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

Mbledhja u thirr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe në të u diskutua për “incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”, që sipas Qeverisë së Kosovës, po veprojnë kundër rendit kushtetues.

“Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, u tha në njoftim.

Qeveria tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.

“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”, u tha në njoftim.

Për 17 ditë me radhë, rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën me Serbinë – janë të bllokuara nga barrikadat e ngritur nga disa serbë lokalë.

Serbët ngritën barrikadat pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina ka bërë thirrje që Rusia të përjashtohet si anëtare…