Krasniqi: 2022-a, një vit i krizave të njëpasnjëshme dhe keqqeverisjes së përsëritur

26 dhjetor 2022 | 22:42

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se reformat brenda partisë, vendimet dhe qëndrimet në raport me aktualitetin, sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe, posaçërisht, situata e krijuar në pjesën veriore të vendit dhe dialogu Kosovë – Serbi, ishin temat për të cilat diskutuan në Këshillin Drejtues të partisë.

“Në përgjithësi, në kontekstin e qeverisjes, viti 2022 ka qenë një vit i krizave të njëpasnjëshme dhe keqqeverisjes së përsëritur. Rrjedhimisht, kemi pasur gjendjen më të rëndë ndonjëherë në shumë sektorë, e specifikisht në shëndetësi, ekonomi, energji, siguri e diplomaci. Një vit i thyer, i humbur, i dështuar, e që, fatkeqësisht, nuk po shihet akoma nga Pallati i Ëndrrave ku janë mbyllur e po lavdërojnë njëri-tjetrin asgjëbërësit e veshur me pushtet”, ka deklaruar Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se dy janë prioritetet shtetërore, të cilat kërkojnë urgjencë, maturi dhe lidership.

“Barrikadat në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogu me Serbinë”, është shprehur ai.

“Për të dyjat, si çdo herë, unë dhe PDK e vendosim Kosovën të parën, duke i mbështetur proceset dhe veprimet e duhura”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se për të parën kërkojnë reagim dhe veprim institucional për t’i hequr menjëherë barrikadat e grupeve kriminale, të instrumentalizuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si tentim i tij për ndarjen e Kosovës.

“Në këtë pikë, i ofrojmë mbështetjen e plotë Qeverisë. Për të dytën, marrëveshjen finale Kosovë – Serbi, kërkojmë maturi e lidership, për çka edhe kemi ofruar propozimin tonë për pesë rezultatet që duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje: Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues; njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të hënën janë grumbulluar hendbollistet e Kombëtares U19 të Kosovës.…