![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/12/haxhiu.jpg)
Kritika ndaj Speciales, Haxhiu flet për mekanizmin që do të monitoronte zbatimin e të drejtave të njeriut
Gjykata Speciale është duke u kritikuar në Kosovë për mostransparencë, vonesë në nxjerrje të materialeve, si dhe zvarritje të procedurës paraprake.
Këto është vlerësuar se janë duke cenuar të drejtat e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim prej vjeshtës së vitit 2020.
Madje është ngritur diskutimi për themelimin e një mekanizmi ndërkombëtar që do të monitoronte zbatimin e të drejtave të njeriut, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Vitin e kaluar, kjo gjykatë ka shqiptuar dënimin e parë nën pretendimin për krime lufte, dhe një tjetër për pengim të administrimit të drejtësisë. Ndërsa janë dy raste të cilat ende po presin të fillojnë fazën e gjykimit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur nevojën për një mekanizëm për monitorim dhe thotë se një kërkesë të tillë e kanë bërë tek kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Është e vërtetë që kemi diskutuar për një mekanizëm shtesë të ri ndërkombëtar, që do ta bëjë monitorimin e zbatimit të të drejtave të njeriut, sepse kaq mund të bëhet, nuk mund të bëhet më shumë dhe ne kemi adresuar këtë kërkesë edhe të kryetari i Kuvendit, sipas informacioneve që i kam, tashmë janë duke diskutuar për një trupë profesionale që e trajton aspektin e të drejtave të njeriut, sepse nuk ka asnjë instancë ndonjëherë që ka pasur, që nuk e ka pasur një institucion tjetër për ta monitoruar, ta zëmë Tribunali i Hagës e ka pasur OKB-në, mirëpo jo Gjykata Speciale nuk e ka asnjë të tillë”, ka thënë n Haxhiu.
Në paraburgim, nën pretendimin për krime lufte, në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Pjetër Shala. /Ksp/