Jack Smith arrin në ShBA për të filluar punën si këshilltar i posaçëm për hetimin e Trumpit

04 janar 2023 | 15:25

Jack Smith, këshilltari i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë i ngarkuar për mbikëqyrjen e dy hetimeve kryesore të ish-presidentit Donald Trump, ka arritur në Shtetet e Bashkuara, sipas burimeve të njohura me këtë çështje.

Jack Smith, një prokuror për krimet e luftës në Kosovë në Hagë është emëruar më 18 nëntor për të udhëhequr hetimin penal të keqpërdorimit të mundshëm të dokumenteve të klasifikuara nga Trumpi në shtëpinë e tij dhe klubin privat në Florida dhe aspektet kryesore të hetimit të gjerë të 6 janarit 2021.

Ai kishte lënduar këmbën e tij në një aksident të fundit me biçikletë dhe po shërohej nga operacioni kur prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, ka njoftuar emërimin, shkruan “Washington Post”.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë thënë në nëntor se Smith po merrte përgjegjësitë e tij nga Haga dhe se emërimi i tij nuk do të ngadalësonte hetimet.

Por ata kanë ofruar pak detaje se kur do të kthehej në Amerikë ose se si po mblidhte një ekip të posaçëm këshilltarësh dhe po shqyrtonte materialet ndërsa ishte jashtë vendit.

Prokurorët e përgjithshëm zakonisht emërojnë këshilltarë të posaçëm – të cilët janë prokurorë të Departamentit të Drejtësisë me një masë autonomie shtesë – në “rrethana të jashtëzakonshme”, kur ata besojnë se përfshirja e drejtpërdrejtë e departamentit në hetim mund të përbëjë një konflikt interesi në një çështje. Edhe si këshilltar i posaçëm, Smith ende i raporton në fund prokurorit të përgjithshëm.

Garland ka thënë në nëntor të vitit 2022 se ai ka vendosur ta emërojë një këshilltar special, sepse Trumpi kishte deklaruar se do të kandidonte përsëri për president në vitin 2024 dhe presidenti Biden kishte paralajmëruar rikandidimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Xhelili përmes një postimi në “Facebook”,…