Ramush Haradinaj përkujton gjeneral Shaban Shalën

05 janar 2023 | 13:50

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Shaban Shalën në 11-vjetorin e vdekjes.

Ai ka thënë se Shala dhe familja e ishin në ballë të proceseve për liri.

“Sot në 11-vjetorin e shkuarjes në përjetësi, kujtojmë heroin e kombit, gjeneral Shaban Shala, i cili tërë jetën ishte në shërbim të Atdheut. Ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, ish i burgosur politik, ish bashkëthemelues e drejtues i KMDLNj-së, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës, dha kontribut të çmuar në proceset shtetndërtuese, me theks të veçantë në themelimin e zhvillimin e TMK-së dhe transformimin në FSK. E gjithë familja e Gjeneral Shalës ishte ne ballë të proceseve për liri, prirë nga komandanti legjendar, Adem Jashari.  Kisha nderin që në kohën e luftës për liri, të bashkëveproj me vëllain e tij Bedriun, i cili ra heroikisht në ballafaqim me armikun në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998. Emri i tij u nderua nga Brigada 134 ‘Bedri Shala’ e ZO të Dukagjinit. Vdekja e gjeneral Shalës la zbrazëtirë të madhe në proceset shtetndërtuese, por do kujtohet përgjithmonë si figurë e ndritur e historisë së re të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndalet pas 12 fitoresh skuadra e Brooklyn, që u mund…