Ministri Peci tregon për subvencionet që i presin fermerët

09 janar 2023 | 14:23

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka përmbledhur punët e realizuara deri më tani nga ministria që ai drejton.

Ndër risitë e Programit për Pagesa Direkte – Subvencione 2023, Peci ka thënë se është subvencionimi i farës së grurit me 614 euro/hektarë, përkrahje kjo e cila përfshinë 250 euro për sipërfaqe, 150 euro  për plehërimin, 54 euro për naftën, 0.04 euro për kilogram apo një mesatare prej 160 euro.

Ndër të tjera, ministri  Peci ka thënë se gështenja do t’i bashkohet këtë vit subvencionimit të dru-frutoreve me 504 euro për hektarë, përfshirë edhe subvencionimin e naftës.

“Kjo kulturë është kulturë strategjike, fruti i së cilës është i kërkuar në tregun e jashtëm”, ka thënë ministri Peci.

Më tutje, ai ka thënë se për të rritur sipërfaqet si dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për lëndën e parë të prodhimit të vajit ushqimor, këtë vit për herë të parë Ministria e Bujqësisë do të subvencionojë lulediellin me 454 euro/ha.

Po ashtu, ai ka thënë  se me qëllim të rritjes së prodhimtarisë vendore e njëherësh edhe cilësisë, “këtë vit kemi paraparë për herë të parë, subvencionimin e zogjve për mish apo broilerëve me 0.20€ për zog”.

“Nga ky program eliminohet përshkallëzimi duke bërë që pagesa për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore të subvencionohet me 0.25 euro për copë”, ka thënë Peci.

Sipas tij, tek pagesa direkte për bimët mjekësore dhe aromatike, është shtuar subvencionimi për bimët mjaltëdhënëse me 450 euro/ha.

Ai ka thënë se aplikimi në këtë program është lehtësuar duke hequr vërtetimin e deklaratës nën betim tek noteri – “këtë vit do mjaftojë vetëm nënshkrimi i fermerit”.

Ministri Peci ka thënë se këtë vit do të vazhdohet me subvencionimit e grurit – 474 euro/ha, misrit – 329 euro/ha, patates – 654 euro/ha dhe fasules – 654 euro/ha.

Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë tha se kulturat pemëtarë subvenciohen me 504 euro për hektarë. Perimet në sipërfaqe të mbyllura subvencionohen me 904 euro/ha, ndërsa perimet në sipërfaqe të hapur me 554 euro/ha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 40 milionë euro është vlera e përgjithshme e patundshmërive…