Murati: 200 mijë qytetarë çdo muaj po përfitojnë nga kursimi i energjisë elektrike

11 janar 2023 | 12:34

Qeveria e Kosovës ka aprovuar të mërkurën kërkesën e Ministrisë së Financave, për ndarjen e 5 milionë eurove për mbulimin e subvencionimit të qytetarëve për kursimin e energjisë si dhe 25 mijë euro për pagesa që janë bërë po ashtu në kuadër të pakos për përballjen me inflacionin.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se 200 mijë qytetarë çdo muaj janë duke përfituar për kursimin e energjisë elektrike.

“E para ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 5 milionë e 25 mijë eurove të cilat pra do të shfrytëzohen si vijon: shuma 5 milionë euro shfrytëzohet për mbulimin e subvencionimit të kursimit të energjisë elektrike, pra është masa që kemi lansuar me pakon për përpalljen me inflacion në muajin shtator dhe kjo parashihet që të mbulojë në vijimësi mbështetjen për qytetarë, ku po përfitojnë përafërsisht rreth 200 mijë qytetarë çdo muaj nga kjo masë mbështetëse e të cilët po kursejnë edhe mjetet e tyre, por edhe mjetet e shtetit për shkak se importohet më pak energji elektrike. Pjesa e dytë prej 25 mijë euro ka të bëjë me disa pagesa që janë bërë po ashtu në kuadër të pakos për përballje me inflacionin por për shkak të gabimeve në llogarit bankare janë kthyer prapa dhe duhet riekzekutohen. Mjetet merren nga programi i ringjalljes ekonomike”, ka thënë Murati.

Po ashtu, Murati ka kërkuar edhe mbështetjen e ekzekutivit për të ndarë për këtë vit edhe shumën prej 24.6 milionë euro në kuadër të masës 3.7 për mbështetje për tejkalim të krizës energjetike.

“Ka të bëjë me kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë, pra për ndarje të mjeteve buxhetore shtesë në kuadër të zotimit që kemi dhënë si qeveri gjatë konsultimeve që kanë qenë gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor nga ZRrE-ja ku si qeveri jemi zotuar që do të mbështesim me 90 milionë euro pra mos ndikimin apo përballueshmërinë e tarifave të energjisë elektrike ashtu që ato të mos rriten për shumicën e qytetarëve siç edhe ka ndodhur. Në kuadër të këtij zotimi në vitin e kaluar kemi ndarë 65.4 milionë euro kurse të mbetura janë pjesa tjetër që do të ndahet këtë vit e që është 24.6 milionë euro në kuadër të zbatimit të masës 3.7 mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike”, ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot bëhen 39 vjet nga rënia e Rexhep Malës e…