Kurti dhe Hyseni hapin edicionin e 32 të “Flakës së Janarit”, ndezin flakadanët

11 janar 2023 | 23:40

Me ndezjen e flakadanëve në Teatrin e Qytetit në Gjilan dhe te varrezat e dëshmorëve, zyrtarisht ka filluar edicioni i 32 i manifestimit mbarëkombëtar”Flaka e Janarit 2023″, në Gjilan.

Në ceremoninë e hapjes së këtij manifestimit, nga më të veçantit për nga struktura në mbarë hapësirën shqiptare, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ndezi simbolikisht flakadanin, së bashku me kryetarin Hyseni, për të ndriçuar qytetin e Gjilanit me simbolikën e flakës, si sinonim i sakrificës së dëshmorëve të të gjithë brezave deri në ditët tona.

Kryeminstri Kurti, paraprakisht, në shenjë nderimi e respekti për ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre për lirinë e Kosovës, jetët e tyre, ka vizituar disa familje të dëshmorëve në Gjilan.

Në hapje të ceremonisë zyrtare në platonë e ish-Galerisë së Qytetit në Gjilan, paraprakisht, Kori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, me intonimin e Himnit të Flamurit dhe prezantimin e disa pikave artistike, ka paralajmëruar e zyrtarizuar hapjen e edicionit të 32 të këtij manifestimi.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2023”, ndryshe nga herët tjera, këtë edicion mëton të sjellë vepra të reja nga krijimtaria artistike kombëtare të realizuara gjithandej hapësirës shqiptare, ndërsa strukturalisht është ideuar në kuadër të kornizave tradicionale, duke i qëndruar besnike strukturës së saj në shtylla përkatëse, arte pamore, muzikore, skenike e letrare, por me ca modifikime që mëtohet të begatojnë e plotësojnë akoma më shumë mozaikun e prurjeve artistike nga artistë e krijues shqiptarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot ka qëndruar në Gjilan,…