Oda e Hotelerisë dhe Turizmit mbështet fushatën ‘Mos bli prodhime serbe’

13 janar 2023 | 13:02

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës duke qenë përfaqësuese e subjekteve hoteliere e turistike mbështet fushatën për bojkotimin e produkteve serbe.

OHTK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, në veçanti anëtarëve të saj që të bojkotojnë çdo prodhim me prejardhje nga Serbia duke i zëvendësuar ato me prodhime vendore e në mungesë të tyre me prodhime nga vendet mike.

“Jemi të bindur që ky apel do të gjejë mbështetje të fortë te subjektet hoteliere dhe turistike të cilat OHTK përfaqëson ngase udhëheqësit e tyre janë dëshmuar nëpër vite e dekada se e duan atdheun e tyre dhe se kanë bërë sakrifica sublime për liri, duke u përballur me sfidat dhe furtunat e kohërave të kaluara që na i solli pushtuesi. Atdhedashuria sot tregohet duke bojkotuar çdo gjë që vjen nga armiku serb”, është thënë në njoftimin e OHTK-së.

Pronari i “Meka Halal Food”, afaristi Burim Piraj, i cili është edhe ideator i fushatës “Besa-Besë” që ka për synim sensibilizimin e masës për konsumimin e prodhimeve vendore dhe bojkotimin e produkteve që vijnë nga Serbia, ka theksuar se kjo fushatë është duke marrë hov dhe është optimist se shumë shpejt do të bëhet realitet misioni i kësaj kauze.

“Synimi ynë është që së paku prodhimet finale serbe të mos kenë vend në marketet e Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare”, ka thënë Piraj për “Epokën e re”, duke shtuar se ende zyrtarisht nga institucionet e vendit kjo fushatë nuk ka marrë mbështetje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka tash e sa kohë që fushata e grupit “Besa-Besë”…