Specialja cakton konferencën e radhës në rastin e liderëve të UÇK-së

13 janar 2023 | 16:16

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se konferenca për përgatitjen e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të mbahet më 18 janar 2023, duke filluar nga ora 09:30.

Në këtë konferencë do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale dhe substanciale.

Në njoftimin e DhSK-së është thënë se gjatë seancës, ndër të tjera, paneli do të kërkojë sqarime nga palët lidhur me procedurën nëse ZPS-ja ka përfunduar me nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve të cilët do t’i paraqesë në gjyq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa sa i përket pjesës substanciale, do të diskutohet për pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar, natyrën dhe kohëzgjatjen e një konflikti të armatosur dhe pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur ose sistematik në dritën e gjetjeve në rastet e TPNJ-së, Limaj dhe Haradinaj.

Më tutje në njoftim është thënë se do të diskutohet edhe për pretendimin e përgjegjësisë komanduese, pastaj për domosdoshmërinë e provave për pretendimet lidhur me krimet serbe të kryera gjatë asaj kohe, pikëpamjet e palëve nëse të burgosurit e asaj kohe që ishin anëtarë të forcave të armatosura bien në kategorinë e përshkruar nga ZPS si “popullsia civile e kundërshtarëve” dhe faktorët që paneli duhet të marr parasysh në vlerësimin nëse kjo e fundit ishte me natyrë kryesisht civile.

Gjithashtu, paneli do të kërkojë sqarime nga avokati i Veselit lidhur me komentet e bëra gjatë konferencës së statusit më 8 shtator 2022 në lidhje me kohën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të Rregullës 153 dhe Rregullës 154 të SPO-së dhe sqarime nga avokati i  Thaçit lidhur me ekzistencën e pretenduar të “Operacioni Patkoi”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qëndruar të premten në…