Konjufca takon Fajonin, kërkon shtim të bashkëpunimit në diplomacinë parlamentare

16 janar 2023 | 15:46

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Siç njofton zyra për informim e Kuvendit, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe fuqizimin e mëtejmë të partneritetit të ndërsjellë, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, agjendën evropiane dhe zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.

Konjufca ka falënderuar kryediplomaten Fajon për përkrahjen gjatë kohës si eurodeputete dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, si dhe për mbështetjen koherente në rrafshin politik dhe atë ekonomik të Sllovenisë ndaj shtetit tonë.

Kreu i Kuvendit, ndër të tjera, theksoi se Sllovenia mike është partner strategjik i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe shprehu përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha dhe projekte me interes të përbashkët, duke përfshirë edhe sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare.

Kryediplomatja Fajon, e cila shoqërohej nga delegacioni slloven dhe ambasadorja Minca Benedejčič, i vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht të mira dypalëshe, të cilat datojnë prej kohësh, dhe rikonfirmoi mbështetjen pa rezervë të Sllovenisë si shtet i Bashkimit Evropian për proceset e integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.

U diskutua edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, teksa kryetari Konjufca ritheksoi qëndrimin për marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve të ndërsjella me njohjen reciproke në qendër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës do të organizojë kursin e…