Çnjohja e Togos ka ndodhur më 2019

17 janar 2023 | 08:23

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka pranuar se Togo e ka çnjohur Kosovën si shtet, por thotë se këtë e ka bërë në vitin 2019, jo tash.

Ajo shton se kjo është një propagandë e përsëritur e Ivica Daçiqit të cilin e cilëson si Slloba i vogël.

“Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se të vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Më tutje Gërvalla ka shfaqur kritika edhe për eksponentë të ndryshëm në Kosovë, që sipas saj “përjargen” sa herë Daçiqi përpiqet ta dëmtojë Kosovën.

“Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës. Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999. Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën”, ka deklaruar ajo.

“Daçiçi, Vuçiçi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit ndoshta edhe mund ta fitojnë  ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-ta. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të sakrificës së dhimbshme dhe kolosale në rrugën tonë drejt lirisë”, ka thënë Gërvalla. /Express

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperi Feronit Shabani, i njohur si Fero, është arrestuar mbrëmë…