I mbijetuari i masakrës në Mitrovicë: Oliver Ivanoviqi ishte urdhërdhënësi, Kurti gaboi me lëvdatat për të

17 janar 2023 | 15:20

Dje janë bërë pesë vjet kur politikani serb, Oliver Ivanoviq është vrarë në veri të Mitrovicës. Në 5-vjetorin e vrasjes së tij, kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar Ivanoviqin si “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Për Oliver Ivanoviqin, Kurti ka thënë se do të dëshironte që kujtimi të mbetet i gjallë, si “një njëri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”.

Por, Ivanoviq ishte i dënuar me 9 vjet burgim në vitin 2014 nga një trup gjykues i EULEX-it në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, pasi ishte shpallur fajtor për krime lufte të kryera në prillin e vitit 1999.

Dëshmitari kryesor në rastin e Ivanoviqit ishte qytetari nga Mitrovica, Isa Mustafa. Gjatë dëshmisë së tij, Mustafa pati thënë se e kishte parë Ivanoviqin teksa jepte urdhëra për ekzekutimin e disa burrave shqiptarë.

Ndërsa, me deklaratën e kryeministrit, Mustafa nuk pajtohet, pasi siç ka thënë për gazetën online “Reporteri.net”, ka vendim gjykate në lidhje me krimet që i kishte kryer gjatë dhe pas luftës.

“Sikur të ishte deklaratë personale e një njeriu do të ishte diçka tjetër, por është deklaratë e kryeministrit të vendit dhe nuk është deklaratë e mirë për shkak se dihet çka ka bërë Oliver Ivanoviqi gjatë dhe pas luftës në Mitrovicë”, ka thënë ai.

Madje sipas të mbijetuarit të masakrës në lagjen e Kovaçëve në Mitrovicë, ku 31 viktima shqiptarë u ekzekutuan nga paramilitarët serbë, Oliver Ivanoviq ishte urdhërdhënësi për krimin që u krye me 14 prill 1999.

“S’më ka ardhur mirë ajo deklaratë për ta mbrojtur, ku dihet se ka edhe një vendim gjykate në lidhje me ngjarjet e 14 prillit të vitit 1999 ku Ivanoviqi ishte urdhërdhënësi”, ka thënë Mustafa të martën.

Në një dokumentar të “Zona Express”, i publikuar në shkurt të vitit 2016, Mustafa tregonte në lidhje me rastin kur në prill të vitit 1999 e kishte parë Oliver Ivanoviqin teksa jepte urdhërin për ekzekutimin e shqiptarëve.

“Kur na kanë dërguar atje nga lagjja jonë, në fillim erdhi një i maskuar dhe pyeste në gjuhen e tyre ‘shef, çka të bëjmë me këta njerëz’ dhe faktikisht atë e kam identifikuar si Oliveri se s’kanë qenë shumica të maskuar. Për një herë, ai tha ‘s’ke çka më pyet, vepro sipas urdhrave të dhëna’. Nga aty filloi, na renditen një nga një dhe filluan ekzekutimin”, kishte dëshmuar Mustafa në dokumentarin “Oliveri i tmerrshëm, Oliver i mirë”.

Fjalë të mira aso kohe për Oliver Ivanoviqin kishte edhe Rada Trajkoviq, sot këshilltarja politike e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.

Ajo thoshte se Ivanoviqi “ishte njeriu më tolerant në mesin tonë, i gatshëm për kompromise dhe marrëveshje me shqiptarët”.

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar 2018, pranë zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Për vrasjen e udhëheqësit të grupit “Rojet e Urës”, Gjykata Themelore në Prishtinë javën e kaluar ka aprovuar propozimin e avokatit për dëgjimin e pesë dëshmitarëve.

Në rasti, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Nga ana tjetër, të hënën, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke e përkujtuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, nder tjera politikanin serb të Kosovës i dënuar për krime lufte në Mitrovicë, e përshkroi si “i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.

“Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë Kurti nder tjera për Oliver Ivanoviqin në një adresim me video, ku fliste në gjuhen serbe, derisa përkthej fjalimi i tij edhe në shqip e anglisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ardhjes së Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite ëndërrojnë edhe…