Konjufca takohet me Walkerin, bisedojnë për të kaluarën dhe të arriturat e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar të enjten ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker.
Konjufca ka treguar se në takim me ambasadorin Walker kanë folur për një pjesë të kaluarës gjatë luftës së Kosovës, të arriturat dhe zhvillimit aktuale në vend, rajon e botë.
Ai po ashtu ka thënë se ambasadorit “pa ju trembur syri i pati thënë Millosheviqit të vërtetën në sy dhe i transmetoi botës atë që pa e përjetoi, të vërtetën që ajo duhet ta dinte, në kohën kur Kosova po digjej flakë, e populli i pafajshëm vritej e masakrohej brutalisht ditë e natë”.
Konjufca është shprehur mirënjohës gjithmonë për kontributin e dhënë të ambasadorit gjatë luftës së Kosovës me Serbinë, gjatë vitit 1999.
“Është një kënaqësi e madhe për mua sa herë që takohem me ish-shefin e misionit të OSBE-së në vendin tonë, mikun e madh të Kosovës, ambasadorin amerikan William Walker. Z. Walker, pa ju trembur syri i pati thënë Millosheviqit të vërtetën në sy dhe i transmetoi botës atë që pa e përjetoi, të vërtetën që ajo duhet ta dinte, në kohën kur Kosova po digjej flakë, e populli i pafajshëm vritej e masakrohej brutalisht ditë e natë. Historia e udhëtimit të tij, veçanërisht dëshmia për Masakrën e Raçakut ishte kyç në shtyrjen e NATO-s për të nisur fushatën e saj të bombardimeve kundër Jugosllavisë. Sot e kujtuam një pjesë të së kaluarës, diskutuam edhe për të arriturat në vend dhe zhvillimet aktuale në vend, rajon e botë. Mirënjohës gjithmonë për z. Walker”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.