Vërshimet, ministri Mehaj: Angazhimi i FSK-së është në nivelin më të lartë

20 janar 2023 | 11:33

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se sot në mëngjes së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, kanë vizituar komunën e Klinës dhe Istogut, fillimisht në vendet e prekura nga vërshimet e më pas në QKMF-në e Istogut.

“Njësitet tona specialistike të kërkim-shpëtimit kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës për të ofruar mbështetjen e tyre. Angazhimi i FSK-së është në nivelin më të lartë dhe në bashkëpunim me autoritetet lokale situata është duke u menaxhuar mirë. Niveli i ujit ka rënë edhe në këto dy qytete dhe gjendja është duke u normalizuar”, ka thënë Mehaj.

Ai ka theksuar se gjatë 24 orëve të fundit FSK-ja ka intervenuar në Ferizaj, në Mitrovicë, Skenderaj dhe Klinë.

“Është bërë evakuimi i tri familjeve. Në Istog kemi intervenuar duke evakuuar 45 qytetarë. Në këto katër komuna kemi pasur të angazhuar 58 ushtarë. Gjithashtu, në babaj të Bokës është bërë hapja e rrugës në gjatësi prej 100 metrash. Në komunën e Skenderajt kemi angazhuar një ekipë e cila ka qenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë në shërbim të plotë të qytetarëve tanë”, ka thënë ministri Mehaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vërshimeve nga reshjet e dendura të shiut, të enjten…