Haradinaj pret në takim Walkerin, i ndan medaljen “Me besim në zot, atdhe e shtet”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadorin William Walker.
“Sot, kishim nderin ta kemi në vizitë z. William Walker, me të cilin evokuam kujtime nga e kaluara dhe njëkohësisht zhvilluam bisedë miqësore për zhvillimet aktuale në vend”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka shtuar se ambasadori William Walker mbetet heroi i së vërtetës për krimet serbe në Kosovë.
“Njeriu i cili me cilësimin e masakrës së Reçakut si krim kundër njerëzimit, zgjoi ndërgjegjen e botës për krimet serbe në Kosovë. Fjalët e tij për masakrën e Reçakut u bënë pikë kthese në sensibilizimin e opinionit dhe akterëve kryesorë ndërkombëtarë për nevojën e intervenimit, në mënyrë që të ndalej gjenocidi dhe spastrimi etnik kundër popullsisë civil”, ka deklaruar lideri i AAK-së.
Haradinaj me këtë rast, ambasadorit Walker i ka ndarë medaljen “Me besim në zot, atdhe e shtet”, për kontributin e tij në çështjen kombëtare.
“Mikun e madh të shqiptarëve e falënderova edhe njëherë për gjithçka që ka bërë për Kosovën”, është shprehur Haradinaj.