​Maliqi: Vetëm 12 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim

23 janar 2023 | 15:45

Vetëm 12 për qind e fëmijëve më aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim. Drejtori i organizatës “Handikos”, Afrim Maliqi, ka thënë se të njëjtit nuk kanë mundësi të vijojnë mësimin për shkak të gjendjes shëndetësore, ekonomike dhe hapësirave jo të përshtatshme në shkolla.

Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Maliqi ka folur edhe për Komisionin për Vlerësimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, ku ka deklaruar se të njëjtit nuk e respektojnë ligjin.

Maliqi ka theksuar se nuk po respektohet as Ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Ministria e ka shtuar numrin e asistentëve mbështetës nëpër shkolla, nuk e di sa e dini vetëm 12 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim. Këta asistentë do të shkojnë dhe të lehtësojnë këtyre fëmijëve, është shumë e mirëpritur.  Por, çka me 80 për qind që janë jashtë procesit arsimor, institucionet e tona duhet të merren me ta. Ata nuk janë të përfshirë fare në arsim. Arsyet janë çështjet shëndetësore, çështjet ekonomike të familjeve, transporti i papërshtatshëm, mund të jetë shkolla e papërshtatshme”.

“Ata janë duke e bërë çështje. Nuk e di as çfarë fjale me gjetë. Së pari nuk e zbatojnë ligjin. Problemi është se nuk i vlerësojnë drejtë, nuk e zbatojnë rregulloren të cilën e kanë… As gjysmë minuti nuk i vlerësojnë, fare. Edhe nuk janë profesionistë, nuk janë njohës edhe njerëzit po pësojnë se ata nuk po e respektojnë. Ne kemi informata se ata deri më tash 25 personave u është mohuar kjo e drejtë. Nga Departamenti i pensioneve kemi informata se që pesë vjet afër 40 personave kanë vdekur si pasojë e komplikimeve shëndetësore… Janë duke u maltretuar njerëzit, me ankesa nëpër gjykata, tmerrësisht. Unë ju kam drejtuar edhe sekretarit të ministrisë edhe ia kam dërguar informatat. Që ky komision dhe dy komisionet duhet të shkarkohen, duhet të ndërrohen. 60 persona i vlerëson për dy orë”, ka thënë Maliqi.

Më tutje,  Maliqi ka thënë se Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara tashmë është në Gjykatë Kushtetuese. Jo për kontestim, por që konventa të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës.

“Për momentin çështja e konventës ka shkuar në qeveri, mandej qeveria e ka sjellë në Kuvend. Kemi informata se Kuvendi e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe pritet përgjigja nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është për momentin situata… Kjo është një nga konventat më të rëndësishme sa i përket të drejtave të njeriut të personave me aftësi të kufizuara dhe i përafrohet vendeve të tjera, i rregullon çështjet në fusha të shumta, e rregullon terminologjinë dhe çdo herë kur ka ligje të reja, iniciativa të reja këto harmonizohen me këtë konventë. Pra është një dritë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara”, ka thënë Maliqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Malit të Zi…