Përjashtohen nga Kuvendi për 10 ditë deputetët demokratë Berisha, Paloka, Noka, Spaho dhe Këlliçi

27 janar 2023 | 13:00

Këshilli i Etikës ka miratuar kërkesën e socialistëve për përjashtimin e Sali Berishës dhe katër deputetëve të tjerë të grupit të tij këtë të premte të 27 janarit.

Përjashtimi i tyre vjen pasi ata bllokuan një ditë më parë foltoren dhe punimet e Kuvendit.

Ata janë përjashtuar për 10 ditë. Katër deputetët e tjerë janë Edi Paloka, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi. Ata nuk do jenë në punimet e Kuvendit, përfshirë mbledhjet e komisionve dhe seancë plenare, për 10 ditët e ardhshme.

Kërkesa për përjashtimin e tyre është dërguar nga shtatë deputetë të Partisë Socialiste.

Dërguar kryeparlamentares Lindita Nikolli, kërkesa ka ardhur pas debateve në sallën e Kuvendit, ku Berisha bashkë me deputetë të tjerë opozitarë bllokuan foltoren.

Ismet Beqiraj, Petro Koçi, Denis Deliu, Arben Pëllumbi, Ermonela Felaj, Mimi Kodheli dhe Gerta Duraku janë ata që e kanë firmosur këtë shkresë.

Ndërkaq, vendimi është marrë nga Sekretariati për Etikën, Votimet dhe Procedurat në Kuevend pas kërkesës nga Partia Socialiste.

Në kërkesën thuhet se Berisha, Noka, Këlliçi, Spaho dhe Paloka u sollën në mënyrë të pahijshme dhe jo etike, duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare dhe duke shkaktuar kaos në seancë.

“Konkretisht këta pesë deputetë, zaptuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare, duke bërë të pamundur që deputetët të merrnin fjalën, siç ishte parashikuar në rendin e ditës”, shkruhet në kërkesën e deputetëve socialistë.

“Edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesja e seancës, deputetët e sipërcituar vazhduan të pengonin zhvillimin e rregullt të seancës plenare, duke mbajtur të zaptuar foltoren. Gjithashtu, drejtuesja e seancës u detyrua të merrte edhe masën disiplinore “Për përjashtimin nga seanca plenare” ndaj tyre, por pavarësisht kësaj, këta deputetë nuk pranuan të dalin nga salla”, vijon letra e tyre.

Kaosi i krijuar në Kuvend të enjten çoi deri në mbylljen e seancës dhe përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Para se seanca të niste, 16 deputetë nga grupi i Berishës kërkuan që të ndryshohet rendi i ditës dhe të futej në diskutim takimi i kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, në praninë e Agron Nezës, person i cili akuzohet se i ka dhënë McGonigal 225 mijë euro dhe nuk i ka deklaruar.

Por kërkesa u rrëzua nga votat e mazhorancës.

Pas kësaj, deputetët e Berishës krijuan kaos duke përplasur duart mbi tavolinë teksa ish-kryeministri nuk pranoi të largohej nga foltorja pavarësisht paralajmërimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përmendur përgjegjësinë historike të Gjermanisë…