‘Vuçiqi ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit’

01 shkurt 2023 | 11:04

Daniel Smith, eksperti i pavarur për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë, me fokus në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin edhe vetë Vuçiqi është i vetëdijshëm.

Në një intervistë për këtë medium serb “Danas”, Smithi është shprehur se tashmë nuk është sekret që Vuçiq po e shfrytëzon temën e Kosovës për të shpëtuar nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Serbisë, jeta e të cilëve, siç tha, po bëhet çdo ditë e më e vështirë për shkak të politikave autoritare të Vuçiqit dhe krizës ekonomike.

Po ashtu, Smithi ka vlerësuar se kreu i shtetit serb dhe elitat politike në Serbi nuk u shkëputën nga mentaliteti i Millosheviqit, dhe se ata kontaminuan opinionin publik atje me tema të nacionalizmit, urrejtjes për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore.

“Nëpërmjet strategjisë ‘përshkallëzim deri në deeskalim’, Vuçiqi po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Rrjedhimisht, derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, Vuçiqi do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

“Perëndimi është i interesuar që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt mes dy vendeve dhe është e qartë se kjo kërkon një kompromis nga të dyja palët”, ka thënë Smithi.

Ajo që Perëndimi duhet të ketë parasysh, siç vlerëson eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë, është që Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj, karakterin unik dhe multietnik të shtetit të Kosovës.

“Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Serbe janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin. Kosova është një rast i veçantë i ofrimit të gamës më të gjerë të të drejtave dhe lirive për pakicat në Evropë dhe në botë”, ka thënë ai për gazetën serbe “Danas”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 33-vjetorin e rënies së dëshmores së lirisë Elfete Humolli,…