Inteligjenca ukrainase: Putin ka urdhëruar pushtimin e të gjithë Donbasit në mars

03 shkurt 2023 | 13:24

Kontrolli i të gjithë Donbasit, brenda marsit të këtij viti. Ky është urdhri që presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë gjeneralit Valerij Gerasimov, kreut të ushtrisë ruse dhe prej disa javësh edhe përgjegjësi i fushatës në Ukrainë, zyrtarisht e cilësuar si “operacion special”.

Urdhrin e Putin e ka zbardhur dje Andriy Chernyak, një nga drejtuesit e Shërbimeve Sekrete Ushtarake (GUR) të Ukrainës, duke shtuar se trupat e Moskës kanë filluar të mblidhen  në zona të ndryshme të Ukrainës që kanë nën kontroll.

Sinjalet për një ofensivë të dytë të Rusisë në Ukrainë janë gjithmonë e më të qarta. Vrojtimet e ekspertëve nga terreni dhe satelitet tregojnë për lëvizje të shumta brenda dhe jashtë kufijve ukrainas, dhe një sulm domethënës sipas analizave të amerikanes Institute of War mund të ndodhë brenda një muaji, por jo në frontin me aktiv deri me tani, atë të Bakhmutit, por nga zona ndërmjet qyteteve  Kreminna dhe Svatove, në rajonin e Luhanskut.

Strategjikisht një sulm i tillë, në rast suksesi, mund të çojë në rikthimin nën kontrollin rus të qyteteve strategjike si Lyman dhe Izium, duke i dhënë një goditje përfundimtare shpresave ukrainase për të mbajtur qytete si Sloviansk dhe Kramatorsk, dhe si pasojë pengesat e fundit për pushtimin e të gjithë Donabasit, objektivit minimal të Moskës për të shpallur një fitore të “operacionit” të tyre.

Por analistët perëndimorë janë tejet skeptikë mbi shanset që një valë sulmesh e re do të mund të ndryshojë së tepërmi ekuilibrat në lindje të vendit, dhe se forcat ruse janë ende të pamjaftueshme për të kontrolluar mbi 11 mijë kilometrat katrorë të Luhanskut dhe Donetsk që ende janë nën kontrollin e Kievit.

Një sulm në fundin e shkurtit, në përvjetorin e fillimit  të operacionit, ose në mars, do të përkonte me pikun e operacioneve gjatë muajit prill, atëherë ku dëbora i lë vendin shirave dhe  baltës që edhe vitin e kaluar ka qenë aleati më i mirë i Ukrainës.

Praktikisht, edhe territoret që mund të pushtohen përkohësisht nga rusët do të mund të rimerreshin në pranverën e vonë nga një kundërsulm i Kievit, të përforcuar nga furnizimet perëndimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pamela Anderson së fundmi mori pjesë në premierën e dokumentarit…