Punonjësit e sektorit publik, nga ky muaj do të paguhen me koeficientin 105 euro

09 shkurt 2023 | 23:18

Pas miratimit në parim (në lexim të parë) në pjesën e parë të seancës së sotme të Kuvendit, deputetët kanë miratuar në mbrëmje edhe në lexim të dytë amandamentet në Ligjin e Buxhetit për vitin 2023, duke u pajtuar kështu që koeficienti i ri për pagat të jetë 105 euro.

Me miratimin e Ligjit të ri të Pagave, punonjësit e sektorit publik nga muaji shkurt do të paguhen me koeficientin e ri.

Pro këtij ligji votuan 63 deputetë.

Para deputetëve projektligjin e paraqiti ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili po ashtu arsyetoi edhe vlerën e koeficientit prej 105 eurove të pagave për zyrtarët publikë, të përcaktuar me këtë ligj.

Deputeti Armend Muja paraqiti rekomandimin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere si dhe qëndrimin e GP të Vetëvendosjes për miratimin e këtij projektligji, duke prezantuar njëkohësisht aspekte krahasuese të pagave aktuale dhe pagave me ligjin e ri, në sektorë të ndryshëm publikë. Ai tha se vlera e re e koeficientit parasheh rritje të ndjeshme të pagave për shumë kategori të të punësuarve në sektorin publik.

Po në këtë frymë ishin edhe paraqitjet e ministrit Murati.

Nëpërmjet deputetëve Ferat Shala dhe Hykmete Bajrami, GP i PDK-së dhe ai i LDK-së u shprehën kundër vlerës së përcaktuar të koeficientit, duke vlerësuar se ajo është e ulët, e që sipas tyre, nuk përmbush nevojat e familjeve të zyrtarëve publikë.

Pas një debati të gjerë, Kuvendi miratoi projektligjin, i cili, sipas mocionit procedural, të propozuar nga deputeti Muja, u shqyrtua dhe u miratua po sonte edhe në lexim të dytë.

Miratimit në shqyrtim të dytë i parapriu shqyrtimi në komisionet e përhershme dhe ato funksionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo sonte “shpërtheu” duke shënuar katër gola në fitoren…