‘Na shikoi në fytyrë dhe filloi të qeshë’, pjesëtari i FSK-së rrëfen shpëtimin e 2-vjeçares

10 shkurt 2023 | 13:24

“Kemi arritur të identifikojmë zëra, të cilët kanë ardhur nga thellësia, brenda. Në fillim, nuk ka qenë e qartë se nga po vijnë. Me mjetet tona që i kemi, ne kemi arritur saktë ta identifikojmë vendndodhjen”.

“Kur janë afruar (ekipet), fillimisht kanë arritur ta prekin nënën e fëmijës, e ka pasur fëmijën në dorë ashtu siç e kanë zënë gërmadhat. Kemi marrë kërkesë nga nëna që ta shpëtojmë fëmijën. Na tha: ‘Ju lutem, nxirreni vetëm fëmijën, vetëm fëmijën nxirreni’”.

Kështu rrëfen për “Radion Evropa e Lirë” përvojën e shpëtimit të një vajze 2-vjeçare në Hataj të Turqisë, më 8 shkurt, Egzon Syla, komandant i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim, i angazhuar në Turqi, pas tërmetit që e ka goditur këtë vend më 6 shkurt.

Momenti më i vështirë thotë se ishte dëgjimi i zërave dhe thirrjeve për ndihmë, ndërkohë që depërtimi i menjëhershëm nën rrënoja ishte i pamundur.

“E di se dikush po pret ndihmën tënde dhe ti nuk mund të shkosh për ta tërhequr dhe nuk mund të shkosh menjëherë”.

“Sigurisht, momenti më i lumtur për të gjithë pjesëtarët [e shpëtimit] këtu ka qenë kur ka dalë fëmija i gjallë, kur, nëse nuk gaboj, ndoshta kemi bërë deri në 10 orë kërkim. Siç e keni parë, [fëmija ka qenë] i mbështjellë me uniformë të FSK-së, i ka shikuar pjesëtarët tanë në fytyrë dhe ka filluar të qeshë. Kjo ka qenë diçka e papërshkrueshme”, thotë Syla, 31 vjeç.

Ekipi i FSK-së duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti.
Ekipi i FSK-së duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti.

Pas vajzës, ekipi i FSK-së e ka shpëtuar edhe nënën e saj, ndërsa babai dhe vëllai nuk i kanë mbijetuar tërmetit, i cili ka lënë të vdekur më shumë se 21 mijë njerëz në Turqi dhe Siri.

Pamje gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit në Turqi.
Pamje gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit në Turqi.

Kontingjenti i FSK-së, i cili përbëhet nga specialistët e kërkim-shpëtimit urban, personel mjekësor ushtarak dhe qen të kërkim-shpëtimit, është nisur drejt Turqisë mbrëmjen e 6 shkurtit.

Aktualisht, ky kontingjent është i stacionuar në Hataj – njërin nga dhjetë qytetet më të prekura nga tërmeti.

“Qyteti është i shkatërruar plotësisht, është një katastrofë. Ne e kemi shumë të vështirë edhe komunikimin me udhëheqësit tanë në Kosovë, sepse nuk ka as internet e as valë telefoni. Është shkatërruar gjithçka. Nuk ka asnjë ndërtesë të banueshme, ose janë rrëzuar komplet, ose dëmtuar shumë”.

“Rrugët janë të bllokuara nga rrëzimi i banesave, njerëzit janë duke fjetur në rrugë, janë duke ndezur zjarr dhe duke qëndruar aty. Në trotuare ka shtretër që kanë arritur t’i nxjerrin nga banesat që nuk janë rrënuar komplet. I kanë vendosur rrugëve dhe janë duke qëndruar aty”, rrëfen Syla.

“Ata nuk kanë dashur të largohen, me sa kuptova, se janë duke pritur ende për të afërmit e tyre që të nxirren nga gërmadhat”, thotë komandanti i kontingjentit të FSK-së për kërkim-shpëtim.

Hataj, 9 shkurt 2023
Hataj, 9 shkurt 2023

Edhe pse ka rrezik nga futja nën gërmadha, Syla thotë se në mesin e ekipit të FSK-së kanjë vullnet dhe gatishmëri jashtëzakonisht të madhe për të ofruar ndihmë.

“Nuk e di se si ta përshkruaj. Ka një vullnet të madh, diçka që mua më ka impresionuar për të mirë, pasi është hera e parë për mua që marr pjesë në këso lloje operacionesh. Ka vullnet, ka dëshirë për punë, trimëria e tyre e të tjera gjëra mua më kanë impresionuar”, shprehet Syla.

"Ka vullnet, ka dëshirë për punë, trimëria e tyre... mua më kanë impresionuar", thotë Egzon Syla.
“Ka vullnet, ka dëshirë për punë, trimëria e tyre… mua më kanë impresionuar”, thotë Egzon Syla.

Më 9 shkurt, kontingjenti i FSK-së ka arritur të nxjerrë vetëm trupa të pajetë nga rrënojat.

Syla thotë se ata do ta vazhdojnë punën, varësisht rrethanave dhe kërkesave.

Edhe pse ekspertët thonë se njerëzit mund të mbijetojnë për një javë ose më shumë, shanset për të gjetur të mbijetuar janë duke u zbehur, marrë parasysh edhe temperaturat e ulëta në rajonin e shkatërruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy motra adoleshente janë shpëtuar në qytetin Kahramanmaras,  101 orë…