Akuzat për gazin lotsjellës, kërkohet ekspertizë balistike jashtë shtetit

10 shkurt 2023 | 14:36

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Demaku, ka njoftuar se do të caktohet të bëhet një ekspertizë balistike jashtë shtetit për të vërtetuar se çfarë mjetesh kanë përdorur të akuzuarit në rastin ku për posedim të gazit lotsjellës në Kuvend po akuzohen ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu.

Sipas saj, duke u bazuar në sugjerimet e Apelit gjykata fillimisht ka urdhëruar Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF) për një ekspertizë balistike, mirëpo në përgjigjen e tyre është thënë se në laboratorin e tyre nuk mund të behët ekspertizë e tillë për mjetet e gjetura tek të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Do të kërkohet ekspertizë jashtë shtetit meqenëse nuk bëhet në Agjencisë së Kosovës për Forenzikë për mjetet e gjetura tek të pandehurit, dhe për të konstatuar se çfarë janë ato në të vërtetë”, ka thënë gjykatësja Dermaku.

Paraprakisht, gjykatësja Dermaku palëve ua ka dorëzuar nga një kopje të përgjigjes së AFK-së, ku në këtë përgjigje është thënë se në laboratorin e tyre nuk mund të bëhet një ekspertizë e tillë.

Lidhur me këtë përgjigje, prokurori Ilaz Beqiri, ka thënë se zyrtarët e AFK-së qartë e kanë shpjeguar se nuk kanë pajisje që të bëhet ekzaminimi.

“Këtë fakt prokurori e ka ditur qysh herët edhe për këtë se kam marrë këtë veprime. Propozojë që të vazhdohet tutje me procedurën”, deklaroi prokurori Beqiri.

Sipas tij,  tani i mbetet zbatuesve të ligjit që ta lexojnë dhe interpretojnë drejtë dispozitën e nenit ku përcakton se çfarë sipas Kodit Penal cilësohet armë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci, ka thënë se si duket prokuroria i ka ngatërruar disa çështje bazike pasi që, sipas tij, jo çdo gaz konsiderohet armë.

“Fakt për këtë e keni për gazat që lëshohen në diskoteka të cilat nuk janë armë dhe nuk janë të dëmshme prandaj, edhe duhet të përcaktohet se çka është ajo për të cilën Prokuroria pretendon se është armë”, ka thënë avokati Koci.

Fjalën e tij, e ka mbështetur i akuzuari Lekaj, i cili tha se i lutet prokurorit që të tërhiqet sepse sipas tij, pa dëshmitarë, pa ekspertizë po mbahen në këtë proces gjyqësor.

“Kjo ndikon edhe në pozitat që i kemi edhe si deputet edhe si ministra dhe mendoj që duhet prokurori të gjitha rrethanat që janë të dëshmuara këtu, që të tërhiqet nga kjo aktakuzë”, ka thënë Lekaj.

Edhe e akuzuara Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga prokuroi që të tërhiqet nga aktakuza, pasi sipas saj, asnjë person nuk mund të ftohet, gjykohet apo dënohet pa një ekspertizë të tillë.

Ndërsa Donika Kadaj-Bujupi, lidhur me përgjigjen e AFK-së, ka thënë se “po flasim për një provë të supozuar për të cilën ekspertiza e ka konfirmuar se nuk kapacitet dhe potencial të dëshmojë se bëhet fjalë për supozimin e prokurorit që kanë poseduar armë”

Kurse Besa Baftiu ka thënë se AKF-ja shumë qartë e ka sqaruar se nuk ka pasur prova qoftë nga prokuroi, qoftë nga gjykata apo nga policia që të bëjë ekspertizën.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar dëshmitari Destan Rukolli, hetues në Drejtorinë për hetimin e krimeve të rënda, për të cilin gjykatësja Dermaku, ka thënë se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se për shkak të angazhimeve-një plani operativ që duhet të zbatohet nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Gjykatësja Dermaku, po ashtu ka thënë se gjykata ka bërë përpjekje që të kontaktoj përmes telefonit ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës dhe drejtorin e Drejtorisë për hetimin e krimeve të rënda, por të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjes.

Pasi është caktuar të bëhet ekspertizë balistike jashtë vendit, seanca e radhës është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin…