Luftë kundër gënjeshtrave dhe budallallëqeve

16 shkurt 2023 | 08:55

Në numrin e njëjtë të revistës, në rubrikën Çështja shqiptare (në frëngjishte) figuron polemika me anë të së cilës Konica shfaq disa pikësynime të caktuara propaguese. Së pari ai hedh poshtë çdo lloj gënjeshtre, trillimi dhe budallallëku që shkruhet në shtypin e huaj për shqiptarët. Polemika ka hyrjen, brendinë, një sërë sqarimesh dhe përmbylljen.

Që në hyrjen e këtij shkrimi Konica do të deklarojë: “Deri tani për shqiptarët e gjorë mund të thuheshin gjithfarë lloj budallallëqesh dhe gënjeshtrash. Sa herë që qatipët dhe memurët mbeteshin pa asnjë kacidhe, bënin ndonjë udhëtim në Shqipëri (lexoni: Udhëtim në ndonjë bibliotekë publike për të shfletuar ndonjë enciklopedi pak a shumë idioteske), shkonin të bënin ndonjë intervistë me ca grekë bablokë e me ndërgjegje, e përgatitnin intervistën dhe kopjen ia dorëzonin një farë biçimi interesant, z. Blondinjes, kryesekretarit të bakallhanës interesante të revistës Deux-Mondes. Dhe në këtë mënyrë opinioni publik, i mësuar që shqiptarët t’i konsiderojnë si kafshë të padenja për liri, përgatitej për të mbetur indiferent për çastin, aq shumë të ëndërruar nga grekët e sllavët, të copëtimit të padrejtë të trojeve shqiptare”. Mirëpo, Konica nuk mbetet indiferent ndaj spekulimeve të tilla. Ai paralajmëron reagimin me sulmin e tij kundër hileve dhe të palarave të këtij lloji. Ai thotë troç: “Që sot e tutje ata që me këtë profesion të ndershëm duhet t’i kenë mendt dhe të jenë më të matur: ne s’do të lejojmë që të përvidhet malli kontrabandë; bile kemi ndërmend që spekulantëve t’ua vëmë një gjobë pak a shumë të pakëndëshme: përqeshjen”. S’vonohet as tallja e pamëshirshme e autorit: “Duke u përpjekur që më parë, e më dalë të korrigjojmë me sa të mundemi të keqen që po na bëhet, afër mendësh do të fillojmë qërimin e hesapeve me revistën e nderuar Revue des Deux Mondes, e cila për shkak të besimit që ka tek qytetarët e ndershëm dhe meqë konsul­tohet për ca gjëra me njerëzit naivë që dëshirojnë të dinë se ç’erë fryn në Ballkan, është bërë një rrezik i përhershëm i të vërtetës. Ne do ta bëjmë veshin të shurdhër për zërin e portieres sonë, e cila kërkon shkresurina për “përdorimin delikat” (që dihet se çfarë) derisa të mos i dëlirim mirëfilli gabimet, gënjeshtrat, fëlliqësirën dhe budallallëqet e shkresurinës. Sikur të gjithë të bënin (lidhur me atë që interesohen), një kritikë të përpiktë të dëlirjes si bëjmë ne, atëherë njerëzit e ndershëm do të humbin fare lehtë besimin në bazën enciklopedike të Revue des Deux Mondes, të kësaj shtëpie ku po kurvërohet e vërteta”. Në pjesën e dytë të polemikës Konica jep ca sqarime, shkoqitje dhe reagime lidhur me një artikull të gjerë të botuar nga një francez gjysmë shekulli para daljes në dritë të revistës Albania. Megjithëse këto janë vërejtje retrospektive, disa ndër to meritojnë të përmenden me këtë rast. “Në gusht të vitit 1842, reagon Konica, doli në dritë një artikull i nënshkruar nga Syprien Rober, një emër francez, por që nuk premtonte asgjë të  mirë (s’do mend për çështjet dokumentare). Dihet se francezët duke ua lënë ‘trashamanisë gjermane’ çështjen e hollësive a të detajeve të sakta që mund t’i bezdisin ata, kënaqen me gjithë dëshirë me thëniet e artikuluara me hijeshi dhe elokuencë. Titulli i artikullit është: ‘Bota greko-sllave’, ndërsa nëntitulli: ‘Shqiptarët’”. Ja pse reagon me aq rreptësi Konica: “Siç shihet ky është një titull perfid, ngaqë i vendos shqiptarët midis grekëve dhe sllavëve. Ky është padyshim klasifikimi i një bilmezi, injoranti, meqë shkenca etnografike ka kohë që e ka shkoqitur këtë fakt: se shqiptarët janë një racë e veçantë, e cila nuk e ka zanafillën nga asnjë racë tjetër. Ç’është e vërteta autori ynë më tej do të paraqesë një hipotezë të re, sipas së cilës kishte të ngjarë që shqiptarët t’i përkasin pikërisht asaj race nga e cila e kanë prejardhjen si grekët ashtu dhe sllavët, mirëpo, klasifikimi megjithatë është arbitrar, qëllimkeq, e mbi të gjitha i dëmshëm”.

Në sqarimet dhe vërejtjet e tjera po përmendim vetëm disa: “Ndonëse ka një shpirt të pastër, shqiptari ka një afinitet të vogël për veprimtari të inteligjencës”. Ja reagimi i Konicës: “Ç’shaka se! Ç’dinim ju se kush janë shqiptarët? Sa herë që një shqiptar gjen mundësi për t’u shkolluar e për të mësuar, ai përfiton nga mësimi me një zotësi admiruese. A duhet t’i zë me gojë këtu orientalistët, arabistët, ekspertët e iranishtes, historianët dhe dijetarët e spikatur të çdo lloji, për shkak të të cilëve literatura osmane i mbetet borxhli Shqipërisë? Mjafton të rikujtojmë se dy ndër shkrimtarët më me zulm turq, që i thonë vetes gjoja turq, Kemal dhe Kuçu Beji janë shqiptar”.

Vërejtjes së autorit francez, se “madhështia e kostumit shqiptar (fusta­nellës) është, si të thuash, proverbiale, por tekefundit ai është një model i kostumit grek”, Konica i jep këtë përgjigje: “Madhështia e kostumit grek (fustanellës) është si të thuash proverbiale, por, tekefundit ai është një model i kostumit shqiptar. Mërgimtarët shqiptarë e përhapën atë në Greqi. (Shih. Pouqueille, Voyage en Albanie)”.

Shënimit ku thuhet: “Gërmadhat e shumta dëshmojnë për luftimet e lavdishme të një populli të vendosur që ose të jetojë në liri ose të vdesë”, Konica i shton këtë koment: “E thënë sa s’bën më mire: ndonëse më ke quajtur greko-sllav, unë s’jam as sllav, as grek dhe as diç tjetër. Unë jam unë dhe dua të mbetem unë!”

Vërejtjes së autorit francez ku thuhet se “Shqipëria është ajo pjesë e Perandorisë Osmane ku ka më së tepërmi elemente të barbarizmave”, Konica i përgjigjet me një vërejtje të tij, ku del në pah ironia: “Po, me të vërtetë barbarizma të tmerrshme për të cilat edhe ne do të mund të gjenim shumë prova! Por do t’u përmbahemi vetëm atyre provave që i ka dhënë vetë autori francez: ndërsa në Perëndimin e qytetëruar edhe në fshatrat më të vogla po hapen me dhjetra shtëpia publike (kurvëtore), në këtë Shqipëri të shkretë ende s’do të gjesh asnjë kurvëtore as për ilaç!”

Në fund, Konica mendon se edhe nëse zhbëhet Perandoria Osmane, trojet malore shqiptare do të mbeten në liri dhe të parrezikuara si për shkak të mbrojtjes natyrore ashtu edhe për shkak të liridashësisë së shqiptarëve, të cilët s’do të pranojnë t’i nënshtrohen përsëri asnjë pushtuesi të huaj.

Marrë nga libri Me Konicën në Evropë, i autorit Abdullah Karjagdiu, ribotim nga shtëpia botuese “Koliqi”, Prishtinë, 2022.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbretëria e Bashkuar njoftoi një paketë të re të ndihme…