Familja bujare e mikpritëse Thaçi nga Shkupi, me një shtëpi të vogël, por gjithmonë me zemër të madhe

16 shkurt 2023 | 12:34

Shkruan: Fatmir Krasniqi, arsimtar në pension

Në vitin 1953 Qeveria Jugosllave nënshkruan Marrëveshjen e re për shpërnguljen e  shqiptarëve në Turqi gjatë viteve 1953/54.

E shpërngulja e shqiptarëve në ato vite ishte shndërruar në tragjedi e dramë kombëtare.

Në mesin e shumë familjeve  që ishin dhunshëm të shtrënguara, të detyruara e të urdhëruara që sa më shpejt të largohen nga trojet e tyre stërgjyshore ishte edhe familja e madhe e vëllezërve Sylë Hazir Thaçi, Mursel Thaçi, Mehmet Thaçi.

Një familje e madhe që ishte në konflikt me regjimin e sistemin, si dhe Reformat Agrare të asaj kohe.

Mursel Haziri njihej si veprimtar, si dhe lidhjet që kishte me Berishën, Mulla Maliq Krasniqin e Drenocit, si dhe me Mulla Musli Krasniqin, nga Tërpeza, një veprimtar e atdhetar i dalluar, sypatrembur e guximtar. Ishte baxhanak me Januzin, si dhe me axhën tim shumë të dashur, të urtë e të respektueshëm Jetullah Krasniqin, nga Tërpeza.

Të tre këta ishin dhëndurë të Muharrem Morinës nga Drenoci. Fetah Morina, djali Muharremit, në atë kohë ishte kryetar i Carrallukës e i Drenocit, por për shkak lidhjeve miqësore e atdhetare me personalitet e njohura e të përmendura më lart, e shkarkojnë nga pozita e kryetarit me urdhër të Beogradit, e që posaçërisht kishin ardhur personat e ngarkuar me këtë detyrë nga Beogradi.

Dhe,drama për familjen Thaçi filloi.

Në udhëtimin e trishtë e të rëndë, e të shoqëruar edhe me familjarë të tjerë, ishte edhe Januz Thaçi, së bashku me bashkëshorten Ajnën, vajzën Mihrijen, dhe djalin e vogël, Hamdiun, që ende nuk i kishte mbushur 2 vjet.

Të afërmit e miqtë po i përcillnin. Ata po ecnin me hapa të rëndë e kokulur.

Ndarje,vaje…Përshëndeteshin, por s’mund të ndaheshin.

Sa largoheshin, prapë ktheheshin. Ndarje, lot, përqafime, ofshamë, dhembje…

U nisën drejt Turqisë. Mbërrijnë në Shkup pas një udhëtimi të gjatë, të lodhur e të dërmuar, që pushtuesi gjakatar dhunshëm i dëboi nga toka e tyre e lashtë, nga vatra e tyre e zjarrtë, nga vendlindja e tyre e shtrenjtë Shkarashniku, dhe nga Kosova e tyre e dashur.

U ndalën përfundimisht në Shkup.

Lotët e ofshamën, dhembjen e madhe e mallin e pashuar të vendlindjes i morën me vete, e Kosovën gjithmonë e mbajtën në mendje, në zemër e në shpirt.

Shtëpia e tyre në Shkup, në Karadak Mahalla ( Lagja Karadak), është afër Universiteti Shtetëror të Shkupit, pranë Bit Pazarit.

Shtëpia e tyre në Shkup ishte dhe mbeti gjithmonë zemërhapur. Ishte një Kosovë e vogël.

Pothuajse gjysmë shekulli shtëpia e Januz Thaçit në Shkup ishte shndërruar në konak dhe gjithmonë e kishte derën e hapur për të afërmit, miqtë e farefisin, për mysafirë të njohur e të panjohur.

Pra familja e Januz Thaçit, mbetet një ndër familjet e rralla e të veçanta, që i trashëgoi, i ruajti e i kultivoi traditat e lashta të popullit tonë, mikpritjen e bamirësinë, besën e ndershmërinë, humanizmin e fisnikërinë, shpirtmadhësinë e zemërgjerësinë.

Januzi, i zoti i shtëpisë, pas një kohe punësohet si punëtor i mirëmbajtjes së kopshtit të Komunës.

Më vonë vajza Mihria martohet në Shkup, dhe jetonte pranë tyre.

Më vonë martohet edhe Hamdiu, me Kimetën me prejardhje nga Ferizaji.

Ata kanë pesë vajza dhe një djalë. Kuptohet tani të gjithë janë të moshës madhore.

Hamdiu, një kohë kishte punuar në një fabrikë te tekstilit në Shkup.

Dhe derisa ishte një natë në ndërrimin e natës, në kohën kur në Kosovë, shpërthyen demonstratat e muajit mars e prill të vitit 1981, ai së bashku me një koleg maqedonas përcillnin televizionin maqedonas që po njoftonte për demonstratat, maqedonasi ishte shprehur plot mllef ndaj studentëve demonstrues se ata duhet me i mbytur të gjithë, Hamdiu kishte reaguar dhe ishte përplasur me të.

Menjëherë e largojnë nga puna duke e dënuar me 3 vjet burg. E dënimin e vuan në burgun famëkeq të Idrizovës.

Pas vuajtjes së dënimit e lirimit nga burgu, i ishte mohuar e drejta e punësimit!

Për shkaqe të gjendjes së rëndë ekonomike, e me një pension të vogël të Januzit, Hamdiu detyrohet i vetëm të kthehet te axha i tij Ramadani në fshatin Poklek të Drenasit.

Për një kohë ka punuar në Ibër- Lepenc,ndërsa pas një kohe djali i tezës së Hamdiut, Halimës ( e njohur si nana Limë, që ishte nënë e të gjithë neve), Bajram Krasniqi, veprimtar e avokat i njohur, e punëson në fabrikën e njohur të tekstilit në Drenas.

Punoi si kryepunëtor dhe mjeshtër i makinave të qepjes. Pas përkeqësimit të gjendjes në Kosovë, Hamdiu rikthehet te familja e tij në Shkup.

Januzi e Ajna, si dhe djali i tyre Hamdiu, nuk janë më në jetë!

Por,veprat e tyre jetësore e humane mbetën të pavdekshme!

Ndërsa, Kimetja e zonja e shtëpisë, një zonjë e rëndë i kaluar të 70- tat, dhe mbahet mirë me shëndet.

Kimetës i falënderohem shumë, e po ashtu edhe Shaban Morinës, që hallë ( motër të babë Fejzës, e kishte Ajnën) për këtë shkrim për familjen Thaçi. Shabanin e kam djalë të hallës e edhe baxhanak.

Edhe unë kam qëndruar disa herë qysh kur isha fëmijë në këtë familje bujare.

Kimetja më rrëfen me çiltërsinë, bujarinë, fisnikërinë, e modestinë e saj të rrallë për derën e tyre të hapur e zemrën e madhe që kishin pritur me qindra mysafirë!

E, ajo me duart e arta e me bujarinë e rrallë që është shembull për t’u admiruar, gatuante pa u lodhur bukë e shtronte sofrën e tavolinën për mysafirë e edhe në orët e vona të natës!

Shumica e mysafirëve që ua mësynin derës së tyre të madhe e të hapur gjithmonë ishin nga fshatrat Drenoc, Carrallukë, Shkarashnik, Bubavec, Tërpezë, Lladroc, të komunës së Malishevës, si dhe Arllat, Poklek, e edhe të qytetit të Drenasit.

Në vitet e 60-70-ta, të shekullit të kaluar shumë shqiptarë të këtyre viseve, por edhe të tjerë nga Kosova, ia mësynin Shkupit për të siguruar një vend pune. Dhe deri sa gjenin punë strehim të sigurt gjenin në këtë shtëpi me derë të hapur.

Në vitet e 70-ta e 80- ta shqiptarët e Kosovës shkonin për shërim e mjekim në Shkup.

Përveç që u bënin konak, pacientët nga Kosova i shoqëronin edhe për në Spital. Kimetja më rrëfeu se si një paciente nga Bubaveci e kishte shoqëruar deri në spital. Por,atje e ndalin mjekët për të përkthyer se nuk kuptonin shqip, duke i thënë se deri vonë duhesh të qëndrosh me pacienten.

Ndërsa, më thotë se në shtëpi ishin bërë merak se mos më kishte ndodhur diçka!

Vitet e 90-ta shumë të rinj detyrohen të largohen nga Kosova, për shkak se regjimi serb i Millosheviqit, i kërkonte që dhunshëm t’i dërgonte në shërbimin ushtarak serbosllav.

Ata ia mësynin Shkupit për t’u larguar drejt shteteve të Perëndimit, sidomos në Gjermani e Austri. Të rinjtë në këtë shtëpi qëndronin 5-6 javë derisa merrnin rrugën e sigurt drejt shteteve të Evropës.

Po ashtu në këtë shtëpi gjetën konak edhe disa delegatë të Kuvendit të Kosovës të vitit 1989. si shumë i nderuari Dr.Xhevat Pllana, mjek i njohur.

Herë pas here këtë shtëpi e vizitonte edhe Sabri Hashani.

Vitet  e stuhishme 1998-99, të luftës e gjenocidit serb të regjimit gjakatar millosheviqian, që deshi t’i zhduk nga faqja e këtij dheut shqiptarët duke i vrarë e masakruar, e duke i dëbuar dhunshëm nga Kosova, shumë shqiptarë u vendosën në Shkup.

Kimetja tregon se në atë kohë në shtëpinë e tyre qëndronin deri 45 mysafirë, ndërsa një familje 12 anëtarëshe kishte qëndruar më gjatë.

Kjo, pra është familja e madhe Thaçi nga Shkupi, njëra ndër familjet më të rralla në të gjitha trevat shqiptare, që shquhet, veçohet e dallohet për mikpritje, bujari,humanizëm, zemërgjerësi e derë të hapur.

Mirënjohje e falënderim të pafund për këtë familje!

Një propozim e një lutje për Ekrem Kastratin, kryetarin shumë të nderuar të Malishevës, si dhe  për deputetët e çmuar të Kuvendit Komunal të Malishevës, që kësaj familje të madhe nga Shkupi me origjinë nga Shkarashniku i Malishevës t’ ia ndajnë një Mirënjohje, se vërtet me gjithë zemër e meritojnë.

Mirënjohja jo vetëm që e nderon familjen e Januz Thaçit, por e nderon edhe Malishevën e Kosovën!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka bërë me dije se…