Kurti priti në takim njeriun që i priu ekipit ligjor të Kosovës në GJND

16 shkurt 2023 | 14:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim Michael Wood, nga Mbretëria e Bashkuar, i cili i ka prirë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010.

Kryeministri Kurti e falënderoi Woodin për kontributin e tij, veçanërisht në mbrojtjen ligjore të së drejtës ndërkombëtare të Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë.

Opinioni këshillëdhënës i GjND-së i vitit 2010 që konkludon se pavarësia e Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, përbën një nga datat themelore të historisë së shtetit të Kosovës, andaj, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi të mirëpres e të takohet me Woodin pikërisht në vigjilje të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Gjatë takimit kryeministri Kurti e njoftoi për të arriturat në vend, për zhvillimet aktuale, për reformat e ndërmarra në funksion të zhvillimit ekonomik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe për forcimin e demokracisë.

Ai diskutoi me Woodin edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe procesin e dialogut, për të cilin kryeministri tha se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka qenë konstruktive dhe kreative në shërbim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

Në këtë takim, Wood shoqërohej nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërmarrja Publike Lokale “Uniteti”, nga muaj shkurt punëtorëve fizik dhe…