Ademi uron Ditën e Pavarësisë: Objektivi ynë në këtë përvjetor, kualifikimi në Euro 2024

17 shkurt 2023 | 11:14

17 Shkurti është dita e Pavarësisë së Kosovës, një ditë festë për shqiptarët kudo që janë. Në këtë ditë të rëndësishme kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka uruar të gjithë bashkëkombësit e tij, duke nderuar të gjithë ata që kontribuuan deri në arritjen e shpalljes së pavarësisë.

Në këtë përvjetor, i pari i FFK-së ka theksuar se synojnë të realizojnë ëndrrën e kamotshme – kualifikimin në Evropian.

“Shënojmë me mburrje e krenari 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Shumë dekada sakrificë e rezistencë, shumë angazhim, kontribut e gjak i derdhur për lirinë e atdheut dhe pavarësinë e tij. Në këtë përvjetor dua të uroj të gjithë bashkëkombësit kudo që jetojnë e veprojnë, me shpresë e besim se bashkërisht, me punë e përkushtim do t’i realizojmë aspiratat tona si popull. E një nga objektivat në këtë përvjetor të pavarësisë është jetësimi i ëndrrës së kamotshme – kualifikimit në Kampionatin Evropian”, ka thënë Ademi.

“Futbolli që nga ditët e para ka qenë shtyllë e rëndësishme e shtetësisë dhe ka promovuar vlerat e vendit tonë. Viteve të fundit kemi bërë përparim të madh në të gjitha aspektet. Këtë e dëshmuan edhe klubet tona me paraqitjet e shkëlqyeshme në garat evropiane në edicionin e kaluar. Tani jemi mobilizuar dhe po punojmë plot vullnet për ciklin kualifikues që nis në mars, me shpresa të mëdha se kualiteti dhe dëshira e madhe e djemve tanë dardanë kësaj radhe do të shpaguhet me kualifikim në ‘Euro 2024’. Nderim të përjetshëm të gjithë heronjve, dëshmorëve, ushtarëve çlirimtarë e veprimtarëve të çështjes kombëtare. Urime 15 vjet shtet! Zoti e bekoftë Kosovën!”, ka shtuar Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grevë 24-orëshe në shtatë aeroporte gjermane ka ndikuar në…