Nait Hasani rrëfen emocionin e nënshkrimit të aktit historik të Pavarësisë së Kosovës

17 shkurt 2023 | 17:57

Derisa një numër i konsiderueshëm i deputetëve fare rastësisht u gjetën para dokumentit ku po nënshkruhej pavarësia e Kosovës, deputeti Nait Hasani s’kishte si të mos ishte aty.

Por ndonëse kishte punuar një jetë për të arritur para këtij akti, momentin historik e ka përjetuar me shumë emocione.

“Ditën e 17 Shkurtit 2008, në momentin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë, mua me doli para e gjithë historia e popullit tonë në vuajtje, mundime, sakrifica, dhunë e shpërngulje nga trojet tona.

Me doli një shekull luftë e brezave për të qëndruar e ruajtur qenien tonë kombëtare në trojet me çdo çmim e sakrificë vetëmohuese. Me dolën shekuj e vuajtje nëpër burgje të shqiptarëve për liri, me dolën para shokët e bashkëluftëtaret dëshmorë që me gjakun e tyre u arrit çlirimi i Kosovës dhe liria jonë”, ka thënë Hasani për gazetën Nacionale.

“Krejt kjo histori e vuajtjeve, në çastin e nënshkrimit me doli para syve si një e kaluar e dhembshme. Por, me nënshkrim i tejkaluam këto vuajtje dhe nga sot do të kemi shtetin tonë që ishte kurorëzim i UÇK-së dhe brezave në kohë.

Nënshkrimi im tregonte një arritje të jashtëzakonshme të popullit të Kosovës dhe përmbyllte një proces politike të pavarësisë së shtetit të Kosovës. Nënshkrimi im ishte fati dhe simbolika e lirisë sonë”, ka theksuar ai.

Hasani, i cili ka qenë në rrethin e ngushtë të themeluesëve të UÇK-së, duke folur për rrjedhat në periudhën pas pavarësisë ka thënë se qeveritë ua kanë humbur shpresën qytetarëve të Kosovës.

“Por 15 vjet pas nuk është me ai vullnet nuk ekziston ajo frymë e zhvillimit dhe perspektives. Sot 15 vjet pas shteti jonë me pa aftësi të ndryshme qeveritare, me neglizhenca e shantazhe të ndryshme, qytetarëve të Kosovës ju ka vra shpresën e jetës në Kosovë, ju ka thy besimin që do të mund të jetojnë e mbijetojnë në këtë tokë të shenjtë të larë me gjak.

Sot qytetaret tanë luftojnë për mbijetesë, kur me gjithë pasurin e resuerset ekonomike qe ka Kosova ne duhej te ishim më mirë se rajoni dhe të paret në zhvillim ekonomik me mirëqenie të lartë”, është shprehur Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Myrto Uzuni është duke kaluar nëpër një formë të mrekullueshme,…