Grabovci në gjykatë: Glaukun nuk e kam parë duke hedh gazë lotsjellës, Albinin po

20 shkurt 2023 | 13:30

Për shkak se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk kishte të angazhuar mbrojtës, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj tij për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar më 2016 në Kuvendin e Kosovës.

I akuzuari Konjufca ka thënë se nuk dëshiron të angazhojë mbrojtës pas pyetjes së gjykatëses Edita Çanta se a kishte angazhuar mbrojtës meqë me Kodin e ri të Procedurës Penale mbrojtja është e detyrueshme.

Lidhur me këtë, gjykatësja Çanta ka thënë se do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës për t’i caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa në këtë seancë prezent në cilësinë e dëshmitarit ishte edhe ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci si dhe prokurori i shtetit Besart Mustafa.

Pas njoftimit të gjykatëses për seancën e radhës, dëshmitari Grabovci, ka thënë se tjerë janë ata që kanë gjuajtur dhe se asgjë nuk i kujtohet.

“Vallahi gjyqtare kur dush, po nuk është ky (Glauk Konjufca) që e ka gjuajtur, tjerë janë ata që kanë gjuajtur”, ka thënë Grabovci.

Gjykatësja Çanta më pas ka thënë se për këtë mund të deklarohet në seancën e radhës, e që Grabovci ka vazhduar me fjalët: “Po sen nuk më kujtohet, ndaç thirrem sa herë dush kurgjo nuk me kujtohet”, duke ju drejtuar të akuzuarit Konjufca se “Unë ty (Glauk Konjufcë) nuk të kam pa,  Albinin po”.

Ndërsa lidhur me mungesën e dëshmitarit Slobodan Petroviq, gjykatësja Edita Çanta, ka konstatuar se gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe për këtë do të presë fletëkthesë e më pas do të veprojë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë më 15 mars 2023.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elvis Rama shpall te pavlefshme deftesen e kl l shme…