Ymeri i krahason dy deklarata të Kurtit dhënë gjatë shkurtit, thotë se ka kundërthënie në to

20 shkurt 2023 | 15:17

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri, përmes një postimi në “Facebook” ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti në lidhje me qëndrimet e tij për procesin negociator në Vjenë dhe Pakon e Ahtisaarit.

Sipas tij, Kurti në të njëjtën kohë edhe po kundërshton edhe po lavdëron këto dy procese.

Ymeri ka cituar edhe dy deklaratat e Kurtit të dhëna më 10 dhe 17 shkurt, e që sipas tij janë në kundërthënie.

Postimi i plotë i tij:

Albin Kurti, 17 Shkurt 2023 – Fjalim në Kuvendin e Republikës së Kosovës:
• “Ishin po këta aleatë ndërkombëtarë që më 2008 po ata faktorë vendorë në koordinimin e të gjitha atyre veprimeve të nevojshme politike dhe proceseve të domosdoshme diplomatike që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”
Albin Kurti, 10 shkurt 2023 – Fjalim në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë:
• “Me të drejtë e kritikuam dhe kundërshtuam paketën e Ahtisaarit, sepse aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodokse, shuarje përfundimtare të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos për deputetët serbë me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi neve e pa llogaridhënie ndaj neve.”
I njëjti njeri (Albin Kurti). I njëjti muaj (shkurt). I njëjti vit (2023). I njëjti proces (Procesi negociator në Vjenë). I njëjti dokument (Plani i Ahtisaarit).
Më 17 Shkurt 2023, Albin Kurti e quan proces të NEVOJSHËM dhe të DOMOSDOSHËM, që kulmoi me shpalljen e pavarësisë.
Më 10 shkurt 2023, Albin Kurti e quajti proces dhe dokument të KUNDËRSHTUESHËM dhe të KRITIKUESHËM, meqë thoshte se krijonte ndasi etnike dhe serbizim të Kishave dhe Manastireve Ortodokse.
Albin Kurti po na thotë që edhe kundërshtimi edhe afirmimi i të njëjtit proces janë të drejta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Shteteve të…