Kurti për kontestimin e ligjeve në Kushtetuese: Në 15 vjet shtet nuk ka pasur kaq përpjekje për paralizim reformash

22 shkurt 2023 | 11:21

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se në 15 vjet shtet nuk ka pasur kurrë kaq shumë përpjekje për paralizim reformash duke marrë për bazë kontestimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.

Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka folur për secilin ligj veç e veç që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Ligji për Këshillin Prokurorial, që parasheh reformën në sistemin e drejtësisë; mandej ligji për Zyrtarët Publikë, që parasheh reformën në administratën publike; dhe ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që parasheh luftimin e korrupsionit dhe padrejtësive, janë disa prej këtyre”.

“Megjithatë, jo për rastësi, të tre këto ligje, bashkë me Ligjin për masat e përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për qytetarë, nëpërmjet të cilit bëhej parandalimi i abuzimit me rritjen e çmimeve të produkteve bazë, janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita parlamentare. Madje, Ligji për Këshillin Prokurorial ka më shumë se gjashtë muaj që është në trajtim”.

“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet mend, që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohë kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se kundërshtimi i hapur nuk e ndal përkushtimin dhe punën e qeverisë.

“Njëkohësisht është kundërshtim i hapur i nevojës shoqërore, i kërkesës qytetare dhe i vullnetit demokratik të 14 shkurtit 2021. E pavarësisht kësaj, përkushtimi ynë mbetet po i njëjti. Zelli vetëm edhe më i madh. Ecja jonë nuk do të ndalet. Sot, po e bëjmë hapin e radhës, me Strategjinë kundër Korrupsionit, të cilën jam i bindur që me shumë kënaqësi do ta votojmë në këtë mbledhje gjithsecili prej nesh”, ka deklaruar Kurti para kabinetit qeveritar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka lejuar që…