Këto janë shtetet dhe partitë dërguan urime te presidentja për 17 shkurt

22 shkurt 2023 | 16:26

Presidenca e Kosovës ka njoftuar për urimet që ka pranuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga shtete dhe parti me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Sipas presidencës, shtetet dhe partitë që kanë nisur letër-urime për 17 shkurt janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Shqipëria, Turqia, Austria, Australia, Belgjika, Bullgaria, Finlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe, Holanda, Hungaria, Katari, Kuvajti, Letonia, Luksemburgu, Mali i Zi, Malta, Maqedonia e Veriut, Arabia Saudit, Senegali, Sllovenia, Suedia, Tailanda, Organizata e Frankofonisë, Organizata FES, Partia FORCA, Lëvizja Qytetare Perspektiva,etj.

Në letrën e urimit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka theksuar se vlerat kombëtare dhe marrëdhëniet vëllazërore e shumë dinamike janë në themel të bashkëpunimit të të dy shteteve.

“Kosova sot është jo vetëm një realitet i pakthyeshëm politik, por edhe një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, që në koordinim e bashkëpunim të ngushtë me aleatët më të mirë të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, po konsolidon dita-ditës institucionet e saj demokratike dhe po zgjeron bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare e ato rajonale”, është thënë në telegramin e presidentit Begaj.

Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi, ka theksuar në letrën e tij se Kosova në 15-vjetorin e pavarësisë, e ka tejkaluar më shumë sfida.

“Gjej rastin të shpreh kënaqësinë time për marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona, me bashkëpunimin e zgjeruar në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, i cili kam besimin se do të vazhdojë me intensitet të shtuar, me mbështetjen reciproke dhe shkëmbimin e përvojave në funksion të arritjes së synimeve tona strategjike për integrimin e plotë të dy shteteve tona në familjen evropiane”, është në telegramin e presidentit Pendarovski.

Edhe presidentja sllovene, Natasha Pirc Musar, ka uruar presidenten Osmani, derisa ka premtuar mbështetje të mëtejme.

“Sllovenia do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt sigurimit të progresit të reformave të nevojshme anëtarësimin në integrimin euroatlantik”, është thënë në letrën e urimit të presidentes Musar.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në letrën e urimit ka potencuar se vizioni euroatlantik i të dy shteteve dhe vlerat e përbashkëta janë garanci e fuqizimit të marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet të dy shteteve.

Në letrën e urimit të presidentit bullgar,  Rumen Radev, raportet ndërshtetërore me Kosovën janë vlerësuar si tejet miqësore.

“Vendi ynë ka qenë gjithmonë ndër përkrahësit më aktivë të ndërtimit të shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të tij. Shfrytëzoj rastin t’ju siguroj se do të vazhdojmë të mbështesim integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale dhe jam i bindur se kemi një të ardhme të përbashkët në familjen evropiane”, është thënë në telegramin e presidentit Radev.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke marrë në konsideratë sezonin që kanë zhvilluar por dhe…