Szunyogu: Investimi 9 milionësh për objektin e ri të FShMN-së tregon përkushtimin tonë

23 shkurt 2023 | 12:11

Këtë të enjte është mbajtur ceremonia e vënies së gurthemelit të ndërtesës së re për Fakultetin e Shkencave Matematike dhe Natyrore (FShMN) të Universitetit të Prishtinës, projekt ky që është financuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Në lidhje me këtë, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se kjo nuk është vetëm një ndërtesë e re, por edhe përmirësim i shëndetit dhe mirëqenies së studentëve, të cilët sipas tij, do të përfitojnë edhe brezat e ardhshëm.

“Ky projekt do t’i kontribuoj drejtpërdrejt rritjes së cilësisë në arsim dhe mbështet një shkallë më të lartë mësimin në bazë të hulumtimeve dhe mësimdhënies duke përfshirë ndërmarrësinë dhe aftësimet në të gjitha nivelet”.

“Ndërtimi i kësaj ndërtese të re për fakultetin është pjesë e agjendës së BE-së për punësim dhe aftësim, duke përfshirë edhe infrastrukturën që financohet nga BE-ja në Kosovë”, është shprehur Szunyogu.

Më tutje, ai ka thënë se për vite me radhë, BE-ja ka trajtuar problemin e infrastrukturës në Kosovë, veçanërisht në nivelin e arsimit.

“Arsimi cilësor është qendra e prioriteteve të BE-së në Kosovë, që është pasqyruar edhe në platformën tonë të politikave, agjendën e reformave ekonomike, si dhe marrëveshjet për Stabilizim – Asociim, por edhe asistencën financiare të BE-së në Kosovë”, është shprehur ai, duke shtuar se investimi prej 9 milionë eurosh për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e ndërtesës së re të fakultetit “tregon më së miri përkushtimin tonë”.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, e ka cilësuar si të rëndësishëm faktin që objekti i ri i FShMN-së  është duke u ndërtuar pranë objektit ekzistues të fakulteteve teknike.

“Uroj që gurthemeli që po e vëmë sot, të jetë edhe një faqe e re në historinë e zhvillimit të UP-së, si dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit tonë”,  ka thënë Kurti, duke shtuar se  arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit, e që sipas tij, është edhe shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Politikat në fushën e arsimit që tashmë i kemi hartuar, synojnë fuqizimin dhe reformimin e sistemit arsimor duke filluar nga edukimi në fëmijëri të hershme e deri tek arsimi i lartë, e gjatë gjithë jetës”.

“Projektligji për arsimin e lartë që tashmë është në Kuvend, përcakton kriteret e qarta për themelimin e institucioneve të arsimit të lartë, kushtet dhe standardet minimale për emërime akademike si dhe mekanizmat për sigurimin e integritetit akademik dhe verifikimin e titujve akademikë. Projektligji parasheh edhe mekanizmin e financimit të institucioneve të arsimit të lartë në bazë të kontratave të përformancës”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe njëherë për…