Ligji i Pagave mund të dërgohet në Kushtetuese me inicim të 30 deputetëve

24 shkurt 2023 | 08:30

Për dërgimin e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese ekzistojnë disa baza.

Afati për dorëzimin e tij në Kushtetuese me inicim të 10 deputetëve tanimë ka përfunduar.

Kështu ka bërë të ditur Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

“Për t’u dërguar një ligj në Gjykatën Kushtetuese janë disa baza të juridiksionit sipas nenit 113 të Kushtetutës. Njëra prej tyre është dërgimi i një Ligji për vlerësim nga 10 deputetë, para se ligji të dërgohet për dekretim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo duhet të ndodhë brenda 8 ditëve nga dita e miratimit të Ligjit në Kuvend. Kështu, në rastin e Ligjit të Pagave ky afat tanimë ka kaluar”, ka thënë Shala.

Kurse thotë se ka ende afat nëse kjo gjë bëhet me inicim të 30 deputetëve apo institucione të tjera.

“Njëra prej bazave të tjera për dërgimin e ligjit për vlerësim në gjykatës kushtetuese është neni 113.2. i Kushtetutës. Sipas këtij neni, inicimin e rastit mund ta bëjnë Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit. Sa i përket Kuvendit, kjo mund të bëhet nga të paktën 30 deputetë, brenda periudhës kohore prej 6 muajve që nga hyrja e ligjit në fuqi.  Kështu, tanimë nuk ka afat për inicim të rastit nga 10 deputetë, por ka ende afat për inicim të rastit nga 30 e më shumë deputetë”, është shprehur ai./Frontonline

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nxënës i shkollës së mesme raportohet se ka goditur…