10 shenja dhe simptome kur duhet të bëhet vizita tek gastroenterologu?

26 shkurt 2023 | 17:44

Gastroenterologu është mjek specialist për sëmundje gastrointenstinale (sëmundjet e organeve të barkut). Disa nga arsyet kur duhet të vizitoni mjekun specialist janë:

1. Probleme me gëlltitjen

Nëse keni vështirësi të vazhdueshme në gëlltitje (disfagi) ose nëse keni edhe vështirësi në gëlltitjen e ujit, kjo mund jetë një gjendje serioze shëndetësore. Vështirësia në gëlltitje mund të jetë simptomë e refluksit (kthimit) të lëngut gastrik në ezofag dhe dobësi të muskujve të ezofagut dhe sëmundjeve tjera.

2. Keni dimbje djegëse të shpeshtë në qendër të gjoksit (urthi)

Zakonisht ndodh kur acidi i stomakut kthehet në ezofag. Në mënyrë tipike, urthi mund të shkaktohet nga irritues si alkooli, ushqimet pikante, pijet e gazuara, ushqimet e skuqura dhe cigaret. Gastroenterologun duhe ta vizitoni kur keni urth dhe keni këto shenja: frymëmarrje e shkurtër; dhimbje gjatë gëlltitjes; lëvizjet të vonuara të zorrëve; marramendje etj..

3. Fryrje barku

Fryrja e dhimbshme e barkut, e papritur dhe që shoqërohet me jashtëqitje të përgjakshme, të përziera ose lëvizje të dhimbshme të zorrëve nuk është normale. Mund të shkaktohet nga shumë sëmundje të ndryshme.

4. Kapsllëku

Nëse nuk pini mjaftueshëm ujë, nuk bëni ushtrime të duhura, përdorni laksativë të tepërt, merrni barnat kundër depresionit, konsumoni sasi të mëdha të produkteve të qumështit, herë pas here mund të përjetoni kapsllëk. Por kapsllëku kronik është një shenjë se mund të vuani nga ngushtimi i zorrëve, kanceri i zorrëve, çrregullimet neurologjike dhe problemet hormonale.

5. Barkqitja (Diarrea)

Barkqitja shpesh është gjendje e e zakonshme që përgjithësisht zgjidhet brenda një ose dy ditësh. Mund të shkaktohet nga konsumimi i tepërt i kafeinës, pirja e ujit të kontaminuar, ushqimeve të kontaminuara, barnave dhe gjendjeve tjera shëndetësore. Mjekun specialist duhet ta vizitoni kur keni shenja të humbjes së tepërt të lëngjeve, dhimbje të forta abdominale, temperaturë mbi 380 , nëse jashëqitja përmban gjak.

6. Humbje e pashpjegueshme e peshës tupore

Nëse pesha trupore bie më shumë se 5% gjatë gjashtë deri në 12 muaj, nuk duhet të injorohet. Humbja drastike dhe e pashpjegueshme e peshës mund të shkaktohet disa sëmundje të organeve të trejtjes që mund të jenë serioze.

7. Gjakderdhje rektale (me jashtqitje)

Gjakderdhja me jashtqitje mund të jetë me ngjyrë të kuqe ose ngjyrë të zezë (katran) e njohur si melenë. Mund të jetë diçka e thjeshtë si hemorroidet ose serioze si kanceri. Çdo lloj gjakderdhje rektale është jonormale, kështu që do t’ju duhet të vizitoni gastroenterologun për të identifikuar dhe trajtuar problemin. Kjo është veçanërisht e rekomanduar nëse gjakderdhja përsëritet ose nëse jeni mbi 40 vjeç.

8. Lirimi i tepërt i gazrave

Lirimi i gazrave është një pjesë normale e tretjes. Një person mesatarisht liron gazra nga pesë deri në 15 herë në ditë. Lirimi tepërt i gazrave mund të lidhet me disa sëmundje si: refluksi gastroezofageal, inflamacionet e zorrëve, sëmundja celiake etj.

9. Zverdhja e lëkurës dhe e syve

Verdhëza është një gjendje që e zverdh lëkurën dhe të bardhën e syve. Urina e errët ose jashtëqitjet me ngjyrë të çelur mund të tregojnë gjithashtu verdhëzën. Mund të përfshijnë sëmundjet në kanalet e bllokuara biliare, dëmtimin e mëlqisë, aneminë hemolitike etj.

10. Ulçera peptike

Ulçera shkaktohet kur zorra e hollë ose muret e stomakut gërryen nga acidi i stomakut dhe zhvillojnë plagë të vogla. Mund të shkaktohet nga pirja e cigareve, pirja e alkoolit, marrja e barnave (ibuprofen), bakteriet (H.Pylori), stresi etj. Shenjat dhe simptomet janë: dhimbje të stomakut, ndjesi djegie intenzive, jashqitje me gjakderdhje, të vjella dhe ndjesi se ndiheni të ngopur.

Nëse i keni disa nga shenjat paralajmëruese të mësipërme caktoni termin për vizitë tek gastroenterologu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur në dalje të Mitrovicës në…