Escobar deklarohet pas takimit: Kemi ende shumë punë për të bërë

27 shkurt 2023 | 21:49

“Ka ende shumë punë për të bërë, nesër do të dalim me një qendrim publik”, tha shkurt emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, për takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Këtë e tha edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një konferencë për media pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç.

Ai tha se palët janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime tjera për planin franko-gjerman, teksa shtoi se do të nevojiten negociata shtesë gjatë muajit mars, me qëllim që të zbatohet të gjitha modalitetet e propozimit evropian, i cili tani është pagëzuar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë pajtuar me propozimin evropian. Teksti do të publikohet edhe në uebfaqen e unionit evropian së shpejti. Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se palët janë pajtuar që të rezervohen nga veprimet e pakoordinuara që mund të pengojnë procesin e dialogut, megjithatë nënvizoi se nevojitet më shumë punë që të zbatohet ajo për të cilën janë pajtuar dy liderët gjatë këtij takimi.

“Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash – nga kriza në krizë – duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren”.

“Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim evropian është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një diplomaci -fluturuese intesive. Lajçak ka udhëtuar rregullisht, ka qenë 10 herë në Prishtinë dhe 8 herë në Beograd”, tha Borrell.

Kryediplomati evropian njoftoi se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do ta vizitojë Prishtinën dhe Beogradin sërish gjatë muajit mars për ta finalizuar marrëveshjen mes palëve.

Ndryshe, raportohet se propozimin evropian me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet ta nënshkruaj kryeministri Kurti dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç. /Albanianpost.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, pas…