Krasniqi: Kurti nuk ka pse të frikësohet nga deputetët, duhet debat për marrëveshjen

02 mars 2023 | 10:59

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka mbështetur kërkesën e LDK-së për debat lidhur me marrëveshjen në Bruksel që ka dalë nga plani evropian.

Krasniqi ka thënë se Kurti do të duhej që personalisht të kërkonte raportim në Kuvend, e jo të mos shkojë në seancë.

“Sot është dita e katërt prej që kryeministri Kurti ka deklaruar se e pranon marrëveshjen bazuar në propozimin evropian. Është dita e katërt që gjithandej në Kosovë, diskutohet për këtë marrëveshje, por po ashtu edhe për pasojat eventuale që ka kjo marrëveshje në mungesë të qartësie. Një politikan i përgjegjshëm do të kishte ardhur vetë pa bërë mocion, me iu drejtua Kuvendit për ta njoftuar me dokumentin dhe me çdo pikë që përfshihet aty, por Kurti nuk është këtu as sot. Nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka se me ardhur në Kuvend, e me iu drejtua deputetëve e qytetarëve. Po flasim për marrëveshje që e pranon asociacionin pa njohje. Jep mundësi për krijimin e një sistemi autonomist për serbët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.

Krasniqi ka thënë se Kurti nuk duhet të ikë nga deputetët.

“Ne absolutisht e mbështesim kërkesën për debat. Një debat e kemi të hapur, ka mbetur e papërfunduar. E vazhdojmë atë pikë. Ai debat është ndërprerë për shkak të ikjes së kryeministrit. Prezenca e tij është e domosdoshme. Nuk ka pse me ik prej neve, e as pse frikësohet. Duhet të diskutojmë bashkë”, është shprehur Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se…