Krasniqi: Kurti e ka degraduar dialogun nga marrëveshja finale me njohje në qendër në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër

02 mars 2023 | 12:26

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për degradim të procesit të dialogut.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka thënë se Kurti mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër.“Po flasim për një marrëveshje, preambula e së cilës e specifikon neutralitetin ndaj statusit, pra heqë dorë prej njohjes së ndërsjellë. Po flasim për një marrëveshje ku nenin 10 pa njohjen e ndërsjellë e pranon Asociacionin, në nenin 7 i jep mundësi krijimit të një sistemi autonomist për serbët e Kosovës, e mos të flasim pastaj për nenin 11, pra për aneksin që hapë shumë e shumë pikëpyetje. Mbi të gjitha, nga ajo që kemi parë ajo marrëveshje nuk mund të hyjë në fuqi pa ardhur në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Nga qëllimi shtetëror për një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, ky proces ka degraduar në një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”

Krasniqi e ka cilësuar Kurtin si politikan të papërgjegjshëm që ik nga ballafaqimi me deputetët dhe tha se PDK e mbështet mocionin për debat me kusht që kryeministri të jetë i pranishëm në Kuvend.

“Sot është dita e katërt prej që kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e pranon marrëveshjen bazuar në propozimin evropian. Është po ashtu, dita e katërt që gjithandej në Kosovë, në shtëpitë tona, në familje, në studio televizive, gjithkund diskutohet për këtë marrëveshje, por po ashtu diskutohet edhe për pasojat eventuale që sjellë kjo marrëveshje në mungesë të një qartësimi për secilën pikë prej saj që tashmë është bërë publike dhe zyrtare. Një politikan i përgjegjshëm do të kishte ardhur vetë pa e ftuar dhe pa bërë mocion me kërkesë të tij për t’iu  drejtuar Kuvendit, përfaqësuesve të qytetarëve, por edhe gjithë popullit të Kosovës për ta njoftuar me dokumentin dhe çdo pikë që përfshihet aty. Por, Kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë sinqerisht nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka sot kryeministri sesa me ardhur në Kuvend për marrëveshjen të cilën ka deklaruar se po e nënshkruan me Serbinë”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën e…