Në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me fruth

03 mars 2023 | 13:45

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Kosovë nuk ka për momentin raste të konfirmuara me fruth.

Në njoftimin për medie thuhet se duke marrë parasysh që raste të kësaj sëmundje së fundi janë regjistruar në shtete të ndryshme të botës, por dhe në vendet e rajonit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës, u bën thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë dhe t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër kësaj sëmundjeje.

“Në Kosovë nuk ka për momentin raste të konfirmuara të fruthit. Vaksinimi i rregullt bëhet çdo ditë në njësitë e vaksinimit në çdo komunë. Në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit në Kosovë, prej vitesh është e përfshirë edhe vaksina kundër Fruthit, që jepet së bashku me vaksinën kundër Parotitit dhe Rubellës”, thuhet në njoftimin për medie.
Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.

Simptomat
Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.

Komplikimet
Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët në moshën nën 5 vjet ose tek të rriturit mbi 20 vjet. Si komplikime më të rënda janë: encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), verbërimi, diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia.

Kush është i rrezikuar?
Fëmijët e vegjël të pa vaksinuar rrezikohen më së shumti nga fruthi dhe komplikimet e tij, madje edhe nga vdekja si pasojë e fruthit.

Trajtimi
Nuk ekziston trajtim i posaçëm antiviral kundër virusit të fruthit. Prandaj, mbrojtja më e mirë është vaksinimi që në fëmijëri kundër kësaj sëmundjeje.

Parandalimi
Vaksina kundër fruthit është mënyrë më e mirë për Parandalim dhe kjo vaksinë është e sigurt, efikase dhe në vendin tonë jepet falas. Përdoret tashmë e 50 vjet.
Vaksinimi në Kosovë kundër fruthit, fillon tek fëmijët në momentin që fëmija mbush 12 muaj dhe jepet si dozë e kombinuar me vaksinën kundër Shytave (Parotitit) dhe Rubellës.
Që të sigurohet imunitet dhe që të parandalohet paraqitja e epidemive, rekomandohet marrja e dy dozave të vaksinës. Doza e dytë e kësaj vaksine (rivaksinimi) të kombinuar jepet tek fëmijët e moshës 6-7 vjeçe.
Vaksina ka efekt të lartë që shkon deri në mbi 95 për qind mbrojtje për të vaksinuarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dallasi arriti një fitore të rëndësishme në NBA, duke mundur…