KEK-u ende s’i ka paguar punëtorët për punën në vikende

05 mars 2023 | 11:34

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nuk po e zbaton një vendim të Gjykatës Kushtetuese tash e mbi pesë muaj për t’ua paguar 3.3 milionë euro mbi 1300 punëtorëve të saj.

Punëtorët e KEK-ut presin të marrin mesatarisht nga 3 mijë 500 euro secili për punën e kryer gjatë ditëve të vikendeve, e të cilat nuk iu ishin paguar më parë.

Rasti ka marrë epilog final ligjor në fund të muajit shtator të vitit 2022, bazuar në një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese.

Këtë shumë të parave prej 3.3 milionë eurosh KEK-u detyrohet t’ua ndan punëtorëve si kompensim për ditët e punës gjatë vikendeve, për periudhën 2011 deri më 2018.

Punëtorët po vazhdojnë të kërkojnë nga KEK-u realizimin e të drejtave të tyre për kompensim.

Madje, sindikata e kësaj kompanie publike i ka dhënë ultimatum menaxhmentit të KEK-ut për zbatimin e aktvendimit të Kushtetues, në të kundërtën paralajmërojnë protesta.

Megjithatë, për moszbatimin e vendimit të Kushtetueses, nga menaxhmenti i KEK-ut nuk janë përgjigjur për KosovaPress.

Remzi Hashani, i cili tash e disa vjet punon në KEK thekson për KosovaPress se ditët e festave zyrtare dhe të vikendeve nuk paguhen nga kompania.

Hashani shpreh brengat e tij për mënyrën se si janë trajtuar deri tani nga punëdhënësi.

Hashani derisa kërkon të zbatohen të drejtat e tyre, thotë se ndihen të “shkelur” nga shteti.

“Kemi bërë kërkesë prej KEK-ut që të na paguhen ditët shtesë, por nuk ka ndodhur dhe na është dashtë ta padisim në Gjykatë. Të gjitha vendimet e Gjykatës i kemi fituar, por KEK-u është duke hesht. Me dëshirë nuk ka qenë padija, por na është imponuar, dhe drejta jonë gjithmonë ka fituar…Jemi të zhgënjyer, edhe ashtu punëtorët e prodhimit jemi gjatë gjithë kohës të shkelur, sepse punojmë vikendeve, festave, jemi të anashkaluar prej botës dhe duhet të na paguajnë”, tha Hashani.

Edhe, Fatmir Hashani i cili punon me ndërrime në këtë korporatë energjetike, shprehet i zhgënjyer me mënyrën si po trajtohen nga menaxhmenti dhe kërkon nga shteti më shumë përkushtim për punëtorët e KEK.

“I kemi fituar të gjitha me Gjykatë. Jemi të zhgënjyer shumë, ne punojmë me ndërrime, për ne nuk ekziston vikend…10:28 As festa nuk ka për ne, ne punojmë për çdo festë”, tha Hashani për KosovaPress.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Nexhat Llumnica tregon për KosovaPress se pavarësisht që e kanë fituar të drejtën ligjore, punëtorët vazhdojnë të mos paguhen për orët shtesë.

Llumnica thotë se deri në vitin 2017 janë mbi 1300 punëtorë qe nuk janë paguar për orët shtesë gjatë vikendeve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetëra vajza në Prishtinë po mësojnë se si të vetëmbrohen,…