PËRPARA SERBISË KOSOVËN DUHET T’A NJOHË VETË BASHKIMI EUROPIAN

06 mars 2023 | 18:00

Nga Sandër Lleshaj

Ish ministër i Brendshëm i Shqipërisë Në vend që të ndizte ndonjë dritë shprese për të ardhmen, takimi i 27 shkurtit 2023 mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, duket se në thelb ka prodhuar njëfarë ushqimi të mjaftueshëm për diskutimet shterpë.

Takimi i shumëpritur është i karakterizuar nga disa anomali shqetësuese. Së pari, BE, që kërkon me të drejtë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk i ka normalizuar as vetë plotësisht këto marrëdhënie, përderisa katër shtete anëtare të tij nuk e njohin ende Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran.

Këtë anomali vetëm sa e thekson më shumë edhe fakti se dy zyrtarët kryesorë që janë ngarkuar me Kosovën, pikërisht Borell dhe Lajçak janë qytetarë të dy vendeve që nuk e njohin republikën më të re të Europës. Së dyti, Serbia shkon në Bruksel si një vend kandidat për anëtarësim në BE, që ka hapur edhe negociatat e anëtarësimit, ndërkohë që Kosova shkon atje si i vetmi vend europian, i izoluar, qytetarëve të të cilit u kërkohen viza për të udhëtuar drejt vendeve të BE.

Sigurisht që ka edhe shumë anomali të tjera mund të përmenden në këtë histori, si ato që lidhen më biografinë e Vuçiç si ish-ministër i Millosheviç dhe atë të Albin Kurtit si ish-i burgosur politik i regjimit serb; me biografinë e Serbisë si shteti përgjegjës për luftrat ballkanke të cilat determinuan historinë europiane të fundit të shekulllit të kaluar; me „biografinë“ e Kosovës së shtypur prej më se një shekulli nga Serbia, e shumë të tjera. Për arsyet e mësiperme dhe shumë të tjera, Kosova ulet krejt e pabarabartë përballë Serbisë ne Brukesl. Në kushte të anomalive dhe shpërpjestimeve të tilla, nuk mund të arrihen rezultate të qëndrueshme.

Që të arrihen rezultate të qëndrueshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, negociatat duhet të jenë të ndershme dhe në kushte të barabarta. Që BE të mund të kryejë rolin e ndërmjetësit dhe mbikëqyrësit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, do të duhet që më së pari ta vendosë Kosovën në të njëjtin start me Serbinë. Dhe minimumi i domosdoshëm për këtë është që vendet anëtare të BE të njohin zyrtarisht Kosovën. Do të ishte iluzore shpresa se Serbia do ta njohë Kosovën përpara Spanjës, Greqisë, Sllovakisë dhe Rumanisë.

Kontributi tjetër i rëndësishëm i BE për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte edhe vendosja e saj të paktën në të njëjtin status si dhe Serbia në procesin e integrimit europian. Që të sigurohet vërtet një status i qëndrueshëm për minoritetin serb në Kosovë, duhet që i njëjti status t’i garantohet edhe minoritetit shqiptar në Serbi, i cili edhe pse e tejkalon në numër minoritetin serb në Kosovë, nuk gëzon as një përqind të të drejtave që i garantohen këtij të fundit. Kujdestaria që kërkohet t’i njihet Serbisë ndaj minoritetit serb në Kosovë duhet t’i njihet në të njëjtën masë dhe mënyre edhe Kosovës për minoritetin shqiptar në Serbi.

Pa plotësimin e këtyre kushteve minimale e gjithë përpjekja europiane duket e pashpresë. Është e vërtetë se ka diplomatë apo burokratë që do të kënaqeshin me sigurimin e ndonjë firme të udhëheqësve aktualë në marrëveshjet e përgatitura prej tyre. Por kjo nuk do të sjellë ndonjë ndryshim reale në terren. Shumë herë më e rëndësishme se firmat në letër është një marrëveshje e drejtë e cila pranohet nga qytetarët dhe para së gjithash nga qytetarët e Kosovës, të cilët ende nuk kanë arritur të prekin realisht lirinë që pasoi një shekull robërie dhe represioni unikal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftim nga KEDS-i për punimet në rrjet 07.03.2023 Punime të…