Aktivizohet drejtësia karshi skandalit ku u paguan paratë e nuk shkoi inventari

07 mars 2023 | 11:13

Komuna e Gjilanit përmes tenderit të organizuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) operatorit Ekonomik “Mobelland” i kishte paguar 597 tavolina për nevoja të Qendrës Klinike Mjekësore Familjare “Nagip Rexhepi”, mirëpo përgjatë procedurës së regjistrimit kanë figuruar vetëm 285 copë.

Në hulumtimin e publikuar nga portali Demokracia ishin publikuar fakte rreth këtij skandali nga i cili është dëmtuar rëndë buxheti i shtetit.  Burime të portalit bëjnë të ditur se tashme Prokuroria Themelore e Gjilanit është duke e hetuar ketë rast të keqpërdorimit të fondeve publike.

Por, pavarësisht se ka kaluar një kohë komuna e Gjilanit ende nuk ka dhëne ndonjë shpjegim rreth këtij skandali ku dyshohet se janë paguar tavolinat me para publike, por kur është bërë regjistrimi i tyre ato kanë munguar në vend ku është dashur të jenë.

Përndryshe në një nga faturat e siguruara nga Demokracia.com të datës 24 maj 2022, ku janë porositur orendi për nevoja të komunës në vlerë totale prej 12,800 eurosh, shihet se personi përgjegjës për pranimin e faturës nuk ka pranuar ta nënshkruajë atë, në formë të shprehjes së pakënaqësisë.

Portali në fjalë gjithashtu ka publikuar të dhëna se rreth këtij skandali janë shkarkuar edhe disa zyrtare tjerë në këtë komune, por deri më tash zyrtarisht komuna nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.  Kohë më parë kompania e njëjtë siç kishte raportuar gazeta Koha Ditore kishte pasur probleme edhe me Qendrën e Studenteve në Prishtinë.

Në atë kohë kompania kishte  dërguar dyshekët gati përgjysmë me peshë më të vogël sesa ishte kërkuar në specifikat teknike dhe në kontratë dhe po ashtu edhe tavolinat e kornizat për shtretër shumë më të holla.

Abuzimet me tender të furnizimit me mobile dyshohet se kanë vazhduar edhe në shumë institucione, kjo ka ndodhur pasi që kompania në fjalë ishte shpërblyer me tender nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, e ku në kontratën e centralizuar kanë qenë pjesë shumë institucione në gjithë Kosovën. Portali i ka dërguar pyetje komunës së Gjilanit, por deri më tash, ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të…