45 studentë fitojnë bursa për studime master në BE

07 mars 2023 | 12:18

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë ndarë 45 bursa për studime master për studentët kosovarë.

Të njëjtit do të studiojnë në vendet e BE-së dhe pas studimeve do të punësohen për 3 vjet në administratën publike të Kosovës.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se përzgjedhja ka qenë shumë konkurruese, teksa ka treguar se deri tani 400 studentë e kanë përfunduar këtë program ndër vite.

Ai ka theksuar edhe pjesëmarrjen e madhe të femrave, e cila është më shumë se gjysma e të përzgjedhurve.

“Përzgjedhja është shumë konkurruese, me provime dhe intervista. Presim me padurim kthimin tuaj në Kosovë. Administrata publike ka nevojë për ju. Shpresoj që të gjeni një vend punë me atë që keni studiuar”.

“Mbi 400 studentë kanë përfunduar këtë program ndër vite, ku  2/3 janë femra në këtë program. Fuqizimi i femrave do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Falënderoj të gjithë partnerët tanë, ju dëshiroj më të mirat dhe shpresoj që sa më shpejt të ktheheni në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka thënë se ky është njeri nga projektet më të rëndësishme për administratën publike, i cili merret tërësisht me të rinjtë.

“Kënaqësia ime është e veçantë se përpara kam të rinj të përzgjedhur në mënyrë meritore. Kemi të bëjmë me një projekt që ka të bëjë 100 për qind me të rinjtë. Ky është njeri nga projektet më të rëndësishme për administratën publike”.

“Bursistët i pret një përvojë e veçantë. Në kuadër të projektit, bursistët do ta kenë mundësinë që të familjarizohen me Administratën Publike para se të shkojnë. Pas kthimit ata do të sistemohen në institucione të ndryshme të vendit në bazë të asaj që ata kanë studiuar”, ka thënë Dobra.

Ndërsa eksperti i programit YCS, profesor Nikolas Panagiotou, ka thënë se  studentët e përzgjedhur përfaqësojnë më të mirët nga talentet që ekzistojnë në Kosovë. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar opozitën…