Kosova synon fitore ndaj Bosnjë-Hercegovinës

08 mars 2023 | 11:04

Sonte në kryeqytet Kosova synon fitore ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Hendbollistët Kastriot Jupa dhe Drenit Tahirukaj kanë bërë me dije se motivi te hendbollistët “dardanë” është i madh dhe për ta arritur synimin presin përkrahje të madhe nga shikuesit. Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 20:15 dhe i takon grupit të shtatë të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2024” .

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll përballet sonte (e mërkurë) në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë me Bosnjë-Hercegovinën nga ora 20:15.

Hendbollistët nën urdhrat e përzgjedhësit Bujar Qerimi kanë punuar në aspekte taktike të përgatitjes së lojës, ndërsa janë shfaqur të uritur për ta dhënë maksimumin me synim për ta fituar ndeshjen. Ndeshjet i takojnë grupit të shtatë të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2024”. Në grup janë edhe Mali i Zi dhe Sllovenia, që kanë nga dy fitore, përkatësisht nga katër pikë. Kosova e Bosnja janë pa pikë. Synimi i “dardanëve” është vendi i tretë që mund të jetë i mjaftueshëm për kualifikim. Një nga hendbollistët në kampion e Kosovës, Kastriot Jupa, ka thënë se të gjithë janë të motivuar për sukses, ani pse kundërshtari ka potencial. “Jemi të motivuar dhe shumë të uritur për sukses. E dimë që përballë kemi një kombëtare cilësore, por edhe ne kemi cilësi dhe përvojë. Përkushtimi është maksimal, ndërsa synimi dihet – fitorja. Presim të ketë numër të konsiderueshëm shikuesish dhe që përkrahja nga tribunat të jetë e madhe. Premtojmë që përkrahjen do ta shpërblejmë me angazhim maksimal dhe lojë të mirë”, ka thënë Jupa.

Për ndeshjen ndaj Bosnjës foli edhe hendbollisti Drenit Tahirukaj, i cili po shquhet me efikasitet te Kreuzlingeni në elitën e Zvicrës në hendboll. “Synimet tona janë të qarta, që të arrijmë të marrim pikë në të dy ndeshjet kundër Bosnjës. Natyrisht, jemi në palestrën tonë, në shtëpinë tonë dhe presim përkrahje maksimale. Prandaj ftojmë të gjithë hendbolldashësit të jenë në numër sa më të madh në palestrën e sporteve në Prishtinë. Ju premtojmë që nuk do t’ju zhgënjejmë”, ka thënë Tahirukaj.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazmend Hoxha është emëruar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së…