Presidenca njofton se çfarë biseduan Osmani dhe Lajçaku

09 mars 2023 | 16:02

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.

Presidentja Osmani ka potencuar se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Më tutje, Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) e ka miratuar…