Sot dy ndeshje në Superligë, derbi zhvillohet të hënën

11 mars 2023 | 08:00

Prince Caffe Superliga e Kosovës në basketboll po shkon drejt fazës së fundit të garave të rregullta. Takimi i parë i xhiros së 25-të do të zhvillohet në mes të Pejës dhe Vëllaznimit, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës.

“Verdhezinjtë” janë këndellur me trajnerin e ri izraelit, ndërsa në këtë edicion numërojnë 17 fitore e shtatë humbje, ndërsa kuqezinjtë që synojnë “play-off”-in kanë tetë fitore e 16 humbje. Dueli i dytë i sfidës së shtunës është ndërmjet Rahovecit dhe Bashkimit.

“Vreshtarët” ndodhen në vendin e fundit me tri fitore e 21 humbje, kurse prizrenasit kanë 11 fitore e 13 humbje në pozitën e pestë. Të dielën përballen kampioni Golden Eagle Ylli dhe Ponte Prizreni, që nuk po kalon në formë të mirë në ndeshjet e fundit. Therandasit kanë 17 fitore e shtatë humbje, ndërsa e kundërta është me prizrenasit që kanë shtatë fitore e 17 humbje. “Ajka” për në fund, ku të hënën përballen Sigal Prishtina dhe Trepça.

Këto dy skuadra, përveç që janë ndeshur tri herë gjatë garave të rregullta, janë përballur edhe në dy finale. Prishtinasit i mundën në Superkupë, kurse mitrovicasit iu kundërpërgjigjën për Kupë. “Bardhekaltrit” janë në vendin e parë me 18 fitore e gjashtë humbje, kurse “xehetarët” janë në vendin e katërt me 15 fitore e nëntë humbje.

SUPERLIGA – Java 25

Të shtunën takohen:
17:00 Peja – Vëllaznimi
19:00 Rahoveci – Bashkimi

Të dielën takohen:
19:00 Golden Eagle Ylli – Ponte Prizreni

Të hënën takohet:
18:30 Sigal Prishtina – Trepça

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe…